NATO mirëpret Malin e Zi

NATO mirëpret Malin e Zi

Mali i Zi nga sot do të ketë ulësen e tij në takimet formale dhe joformale të NATO-s.

Nga fillimi i qershorit, ndërkaq, do të jetë edhe zyrtarisht anëtari i 29-të i Aleancës Veriatlantike.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, konfirmoi se kryeministri malazez, Dushko Markoviç, do t’iu bashkohet për herë të parë aleatëve në takimin e sotëm në Bruksel.

“Parlamentet e të 28 aleatëve dhe Parlamenti i Malit të Zi kanë ratifikuar pranimin e këtij vendi në NATO. Ky është një hap përpara për Malin e Zi, për qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe për vizionin tonë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe”, tha Stoltenberg.

NATO i ka dhënë Malit të Zi planin për anëtarësim qysh në vitin 2009, ndërsa në vitin 2015 i ka bërë ftesë për t’iu bashkua aleancës. Ky proces irritoi Moskën, e cila, për kohë të gjatë, ka menduar se mund ta ketë Malin e Zi në sferën e saj të ndikimit.

Qëkur Mali i Zi është ndarë nga Serbia në vitin 2006, Moska ka kultivuar lidhje të ngushta me republikën ish-jugosllave, ndërsa investitorët dhe turistët rusë kanë derdhur para të majme atje.

Nga viti 2015, afërsia e tyre është kthyer në rrëmujë. Mali i Zi ka fajësuar Rusinë për një komplot për vrasjen e ish-kryeministrit malazez, Millo Gjukanoviç, në tetor të vitit të kaluar.

Rusia, në anën tjetër, ka ndërprerë investimet në Mal të Zi, ka zvogëluar turizmin atje, ndërsa, së voni, ka ndaluar edhe importin e verës malazeze.

​“Jemi të përgatitur për çdo veprim të Rusisë, por asgjë nuk do të na pengojë në rrugën që kemi vendosur të marrim”, u tha gazetarëve, ditë më parë, kryeministri malazez, Markoviç.

“Ballkani, me shekuj, ka qenë skenë e luftës midis Perëndimit dhe Lindjes. Si asnjë vend tjetër në rajon, Mali i Zi ka lidhje të fuqishme me Lindjen, por në vitin 2006 (v.j. kur Mali i Zi ka shpallur pavarësinë), kemi marrë një vendim kyç, për të pranuar standardet dhe vlerat perëndimore”, tha Markoviç. / REL / 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy