
Bashkëthemeluesi i “Microsoft”-it, Paul Allen, është ndarë nga jeta në moshën 65-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë të gjakut. Allen është trajtuar për limfomën non-Hodgkin, në vitin 2009, por tre javë më parë ai njoftoi se sëmundja ishte rikthyer.
Në një deklaratë që njoftonte ndarjen e tij nga jeta të hënën pasdite, motra e tij, Jody, e përshkroi biznesmenin si një "individ të shquar në çdo nivel". "Familja dhe miqtë e Paul kanë pasur bekimin që të jetonin me mendjen, ngrohtësinë, bujarinë dhe shqetësimin e tij. Ai kishte gjithnjë kohë për familjen dhe miqtë", tha deklarata.
"Në këtë kohë të humbjes dhe pikëllimit për ne - dhe kaq shumë të tjerë - ne jemi thellësisht mirënjohës për kujdesin që ai tregoi çdo ditë", tha ajo.
Bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, tha: "Jam zemërthyer nga largimi i një prej miqve më të moshuar dhe më të dashur ... Pa të, informatika nuk do të ishte kjo që është".
Biznesmeni Allen e bëri pasurinë së bashku me mikun e shkollës, Bill Gates, pasi bashkëthemeluan gjigantin e teknologjisë Microsoft në 1975. "Nga ditët tona të hershme së bashku në Lakeside School, përmes partneritetit tonë në krijimin e Microsoft, në disa nga projektet tona të përbashkëta filantropike gjatë viteve, Paul ishte një partner i vërtetë dhe i dashur mik", tha Gates.
"Ai meritonte shumë më tepër kohë, por kontributet e tij në botën e teknologjisë dhe filantropisë do të vazhdojnë të jetojnë për gjeneratat që do të vijnë”, tha Gates.



