
Deputeti demokrat, Xhelal Mziu, e cilëson aferë korruptive projektin e portit të Durrësit. Në studion e MCN Economy, Mziu tha se kostot për transferimin e portit do të arrijë në 2 miliardë euro.
Porti i Durrësit është afera më korruptive. Edhe pse u miratua me votat e maxhorancës, edhe pse u bënë premtime që koha i nxori blof, sipas programit, brenda këtij viti duhej të mbaronin një numër i konsiderueshëm.
Jepen 82 ha në pjesën më të kuotuar një kompanie që do të ndërtonte. Atij qyteti do ti duhen dhjetëra vite për të mbaruar dhe pas aq vitesh do t’i jepen pjesë nga dividendi 280 milionë euro.
Sot në Tiranë duhet të fusësh mik që pronarëve të tokës t’u japësh 40%. Bashkia e Tiranës paguan edhe 12%, pra 52%. Nëse do t’ua kishim dhënë kompanive vendase dhe shteti të ishte pronar toke, do të kishim përfituar 700 mijë metra katrorë në atë port. Sikur të shitej vetëm me 2 mijë euro metri, do të kishim përfituar 1.4 milionë euro. Nëse e shisnim me 4 mijë euro do të përfitonim 2.8 miliardë.
Ajo që do të na kushtojë akoma më shumë është transferimi i këtij porti. Ishte port historik i lidhur me rrugën Egnatia. Ka dalë në një vend tjetër që nuk është fizibël. Është në një vend që për shkak të erërave do të ketë pauza të vazhdueshme në ankorimin e anijeve. Lëvizja e portit do të ketë një kosto 410 milionë euro vetëm në fazën e parë. Do të shkojë në 2 miliardë euro deri në fund. Afati limit do të jetë viti 2050. Dy miliardë do të shkojnë nga buxheti i shtetit. Qytetarët dhanë zonën më të shtrenjtë dhe me paratë e buxhetit do të ndërtojnë një port që do të kushtojë më shumë. U kemi dhënë frymëmarrje porteve të vendeve fqinje.
Mziu tha se maxhoranca e kaloi me shpejtësi në Parlament koncesionin e portit të Durrësit, ndërsa tani refuzon çdo tentativë të opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor.
Është miratuar në orët e para të mëngjesit, në mënyrë që të mos kishte asnjë mundësi që qytetarët të informoheshin. Ne kemi kërkuar komision hetimor. Është hedhur poshtë me forcën e kartonit.
Kushtetuta e garanton, por është rrëzuar me forcë kartoni hetimi i kësaj afere. Janë 2 miliardë euro që do t’i përfitonte shteti shqiptar nëse bëhej aksioner. Ne e dimë që Porto Romano, pavarësisht se shkuan dy kompani aty, e ka bërë shteti rrugën, ujin dhe energjinë elektrike. Me siguri do të jepet me koncesion dhe pafundësisht do të paguajnë ata që kalojnë aty. Kemi një aferë të trefishtë, duhet të sensibilizojmë opozitën.
Pushteti vendor për investime dhe strategji të tilla duhet të jetë akto. Por për projekte të kësaj natyre, roli i pushtetit vendor është shumë më i vogël. Nuk mund ta fajësoj pushtetin vendos, pavarësisht se duhej të kishte rolin e vet.
Sipas Mziut, bizneset që do të operojnë aty do të dëmtojnë bizneset jashtë portit.
Kjo zonë do të jetë zonë e lirë ekonomike. Pra bizneset aty brenda nuk do të paguajnë taksa, që vendos të pozita të pabarabarta bizneset e tjera. Janë çunat e Dubait ata që janë investitorët e vërtetë. Pavarësisht propagandës për mundësinë e fondeve të BE-së, nuk e bënë as atëherë kur ishte. Autostrada joniane mund të financohej nga BE, por në momentin që ishim gati, qeveria firmosi një koncesion dhe e dha nga Miloti në Fier. Pra, me koncesion, marzhi i fitimit të qeverisë është më i madh. Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë që kemi nisur. Nuk është vetëm përgjegjësi e opozitës. Por ne jemi të detyruar të përdorim çdo lloj mjeti për të qenë të qartë me qytetarët që kjo qeveri nuk po lë mekanizëm pa përdorur në kurriz të tyre.



