Disa foto që qarkulluan një ditë më parë në rrjetet sociale të postuara nga gazetari Armand Maho tregojnë se disa objekte të teatrit Kombëtar, duke nisur nga karriget dhe stendat u magazinuan në një fushë sportive në zonën e Freskut, e njohur ndryshe edhe si kalçeto ku kalojnë kohën e lirë inspektorët e Policisë Bashkiake.
Bashkia e Tiranës nuk pati vullnetin për të mbrojtur TK, por megjithatë ka vullnetin të impenjojë policinë bashkiake për të mbrojtur banderolat me hashtagun Mbro teatrin brenda ambienteve te saj. Ka prova të mjaftueshme për të dëshmuar se gjithçka me vlerë nga Teatri Kombëtar ka qenë e ruajtur këtu përkohësisht, por tashmë ato janë zhvendosur.
Kupola e lartë e cila mbulon kalçeton e policisë bashkiake dhe muri rrethues me tela me gjemba nuk lejojnë fushëpamjen. Grupi i xhirimit të TVT arrtiti të filmojë në brendësi të fushës sportive, ku kanë mbetur vetëm podiumi që shfrytëzohej nga aktivistët e aleancës për mbrojtjen e teatrit dhe ndonjë banderolë që bashkëshoqëroi protestën më shumë se 2-vjeçare të artistëve dhe shoqërisë civile.
TvT kontaktoi zëdhënësin e Bashkisë së Tiranës, Denis Dedeji, për ta mësuar se si është vepruar me materialet dhe rekuizitat e magazinuara në ambientet e Policisë Bashkiake në zonën e Freskut dhe morën përgjigjen se për të patur një informacion më të plotë për këtë mund të konsultonim kronikën e përgatitur nga një televizion kombëtar.
Këmbënguljes sonë për të marrë informacion lidhur me fatin e materialeve të teatrit të magazinuara në zonën e Freskut siç dëshmojnë fotot dhe pamjet që u publikuan, zoti Dedej iu përgjigj duke thënë se për këtë duhet t’i drejtohemi me një shkresë zyrtare për informacion Bashkisë së Tiranës.



