
Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës nuk u konstituua as në përpjekjen e dytë të zhvilluar dje. PDK, LDK dhe AAK kundërshtuan rikthimin e procesit në pikën zero, duke këmbëngulur që të vazhdohet me votimin e raportit për verifikimin e mandateve të deputetëve.
Seanca u ndërpre dhe u shty për datën 19 prill.

Në një analizë për “MCN Live”, profesori i Shkencave Politike, Nexhmedin Spahiu, tha se pavarësisht vonesave, pret që procesi të mbyllet së shpejti, ndoshta që nesër.
Kurti është i interesuar të marrë qeverinë sa më shpejt, sepse sa më shumë që zgjatet procesi, aq më të rënda bëhen pazaret. Për më tepër, zgjedhjet vendore janë afër dhe koha nuk punon në favorin e tij,” tha Spahiu.
Mund të ketë ngërç politik, por presioni kohor dhe interesat e pushtetit do të detyrojnë gjetjen e një zgjidhjeje.
Ky vit është shumë i rëndësishëm për Kurtin, veçanërisht për konsolidimin e kontrollit në veri të Kosovës.
Ekziston frika se nëse opozita vjen në pushtet, ky proces mund të kthehet pas. Ndaj për të është jetike që qeveria të formohet para se të mbahen zgjedhjet lokale, të cilat priten në vjeshtë. Kontrolli i pushtetit qendror në kohën kur zhvillohen zgjedhjet vendore është një avantazh i madh politik.
Sipas Spahiut, ngërçi aktual lidhet kryesisht me përplasjen për postin e kryetarit të Kuvendit.
Tashmë është çështje diskutimi nëse kryetar i Kuvendit do të jetë Fatmir Limaj apo Donika Gërvalla.
Me gjasë, kjo do të zgjidhet me një kompromis sepse gjetja e zgjidhjes në këto raste është çështje pazari politik, negocimi.
Besoj se kompromisi do të arrihet sot ose nesër dhe më në fund do të kemi një Kuvend të konstituuar dhe një qeveri funksionale.



