
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) ka dhënë pretencën për një tjetër fraksion të Dosjes 5D, duke kërkuar dënimin e shtatë të pandehurve që u gjykuan me procedurë të zakonshme.
Mes të pandehurve janë tre ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës: Redi Molla, ish-drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve, Mariglen Qato, ish-drejtori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, dhe Taulant Tushe, ish-drejtori i Planifikimit të Punëve Publike. SPAK ka kërkuar: 11 vite burg për Redi Mollën, 9 vite burg për Mariglen Qaton dhe 4 vite burg për Taulant Tushen.
Për katër të tjerët, të përfshirë në akuzat për korrupsion dhe pastrim parash, janë propozuar dënime nga 2 deri në 7 vite burg. Krahas dënimit, SPAK kërkon që të pandehurit të mos ushtrojnë funksione publike për 5 vite. Aktualisht, vetëm Mariglen Qato ndodhet në burg.
SPAK ka deklaruar se Redi Molla dhe Mariglen Qato kanë qenë pronarët “de facto” të kompanisë 5D Konstruksion sh.p.k, duke përdorur pronarë fiktivë, dhe vetëm në këtë dosje kanë përfituar rreth 2 milionë euro nga 12 tendera të autoritetit kontraktor “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” gjatë periudhës 2016-2020.
Prokuroria kërkon gjithashtu konfiskimin e pasurisë së 5D dhe pronave të lidhura, përfshirë: truallin me vlerë rreth 48 milionë lekë, parkimet, apartamentet dhe pjesëmarrjet në shoqëri të tjera, si dhe që sendet e sekuestruara t’u kthehen personave të tjerë të përfshirë sipas ligjit.



