Tragjedi në një familje shqiptare në Greqi. Një 40-vjeçar shqiptar ka vrarë gruan e tij 36-vjeçare, gjithashtu shqiptare, dhe më pas është arratisur. Mediat greke raportuan se Pandeli Nakoleci, 40 vjeç, vrau bashkëshorten e tij, Marjola Nakoleci, mëngjesin e sotëm.
Vajza e çiftit ka telefonuar autoambulancën për të kërkuar ndihmë duke thënë se i ati e kishte goditur me thikë të ëmën në apartamentin e tyre në rrugën Konstanta.
Oficerët e policisë që mbërritën në vendngjarje gjetën trupin e pajetë të gruas në hyrje të pallatit, me plagë në qafë dhe në brinjë. Çifti kanë katër fëmijë, dy vajza 16 dhe 6 vjeçare, një djalë 13 vjeç dhe një tjetër 6 vjeç.
Mësohet se autori i krimit ka një të shkuar të rëndë kriminale dhe psikiatrike. Më 28 qershor 2025 ai ishte shoqëruar nga policia në repartin psikiatrik të Spitalit të Përgjithshëm të Volosit për një ekzaminim pas një tentative vetëvrasjeje.
Daja i autorit, Jetnor Lumani, I cili jeton në Korçë, i bëri thirrje 40-vjeçarit të dorëzohet.
“Atë e bëri si të tërë, e bëri për mirë a për keq ai aq kuptoi aq bëri. Ne e morëm vesh nga televizori dhe u detyruam që erdhëm tek motra jonë. Ne nuk dimë asnjë gjë, nipi përderisa e bëri këtë gjë e bëri me vetëdije, nuk e bëri pa vetëdije. Kanë pasur apo jo probleme nuk e di.
Nëse nipi më sheh unë i them që të dorëzohet, të tregoj për çfarë arsye e bëri duke mos ulur kështu as kokën e fëmijëve. Po është e vërtet ka patur probleme të shëndetit mendor se këtu në Shqipëri njihet që ka marrë kemp, ka qenë i kartelizuar”, thotë ai.



