Italia hyn në fazën e dytë të përballjes me Covid-19, ajo që kryeministri Giuseppe Conte e quajti sot “bashkëjetesa me virusin”. Ndërsa numrat janë në rënie, si ato të viktimave, edhe ato të rasteve të reja, kreu i qeverisë italiane nëpërmjet një konference për shtyp dha udhëzime mbi mënyrën se si do të bëhet hapja e ekonomisë dhe si duhet të jetë “jeta e re” me virusin.
"Sjellja e përgjegjshme për secilin prej nesh do të jetë themelore: Ne kurrë nuk duhet të afrohemi, distanca e sigurisë duhet të jetë së paku një metër. Nëse nuk respektojmë masat paraprake, kurba do të rritet përsëri, vdekjet do të rriten dhe ne do të kishm dëme të pakthyeshme për ekonominë tonë. Nëse e doni Italinë, mbani distancë nga njëri-tjetri ", iu drejtuar Conte italianëve.
Ndër masat që do të marrë qeveria është edhe ajo e uljes së çmimit të maskave pas datës 4 maj. Hapja parashikon edhe rikthimin e transportit publik, në të cilin përdorimi i maskës është i detyrueshëm. Conte tha se në dekretin e ardhshëm parashikohet që çmimi i maskave të rregullohet përmes ndryshimit të TVSH-së.
"Fondi i Rimëkëmbjes është një hap përpara, qëllimi është të përkthehet ky parim në punë teknike, duke e ofruar këtë mjet menjëherë" dhe "shmangien që krijon një borxh të mëtejshëm për ata që, si Italia, kanë një borxh të lartë", tha Conte.
Nga 4 maji, në Itali hapen pjesa dërrmuese e bizneseve. Megjithatë, kjo e shoqëruar me një protokoll të rreptë. "Ne ju lejojmë të ktheheni në shtëpinë ose vendbanimin tuaj. Lejohet hyrja në vila, në parqet publike por në përputhje me distancat dhe kërkesat e sigurisë. Nga 4 maji mund të shkoni në restorante. Por mund të hyni vetëm një nga një dhe ushqimin ta merrni e ta konsumoni në shtëpi”, tha Conte. / ANSA / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



