
Gjykata e Apelit në Moskë la në fuqi sot dënimin me nëntë vjet burg për basketbollisten amerikane Brittney Griner, e shpallur fajtore për posedim droge.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha se Brittney Griner vazhdon të mbahet në mënyrë të padrejtë në Rusi në “rrethana të patolerueshme”, pasi iu nënshtrua një tjetër “çështjeje gjyqësore të rreme” duke pretenduar se basketbollistja duhet të lirohet menjëherë.
Në javët e fundit, raporton Sullivan, administrata e Biden ka “vazhduar të angazhohet me Rusinë përmes çdo kanali në dispozicion dhe të bëjë çdo përpjekje për ta sjellë Brittney-n në shtëpi”.
E njëjta gjë, shton ai, është bërë edhe për amerikanë të tjerë të arrestuar në Rusi.
Presidenti Joe Biden, ka treguar gatishmërinë e tij për të marrë vendime të vështira për të sjellë qytetarët amerikanë në shtëpi, siç ka ndodhur në pjesë të tjera të botës. Administrata, qëndron në kontakt me familjet e të burgosurve dhe admiron guximin e tyre.
Sportistja u ndalua në aeroport në shkurt me vaj kanabisi në cigaren elektronike. Griner, një prej basketbollisteve më të famshme në botë, ka pranuar fajësinë në gjykatë, duke përsëritur se nuk kishte qëllim dashakeqës për veprën e kryer.
Ylli i basketbollit, e cila mbahet në burgun Novoye Grishino, i kishte kërkuar gjykatës së Moskës uljen e dënimit.
Në gusht ajo u dënua me nëntë vjet burg dhe një gjobë prej një milion rubla, pothuajse 16 mijë euro.



