
Sot është Dita Ndërkombëtare e Peshkut Ton, e cila njihet nga kalenderi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ky produkt, sipas FAO-s (Organizata Botërore e Ushqimit) ka rënë viktimë e vlerave të tij ushqyese. Duke pasur nivel të lartë Omega-3, mineralesh, proteinash dhe vitamine B12, peshku ton është bërë nga më të kërkuarit. Pasoja është peshkimi pa kriter duke rrezikuar biodiversitetin. Kjo është arsyeja përse në dhjetor të 2016-ës, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi për vendosjen e kësaj dite në kalendarin e OKB-së, për të pasur një vëmendje në rang global ndaj një peshkimi të qëndrueshëm.
Lëvizja nënvizon rëndësinë e konservimit që të kemi sisteme për të parandaluar shkatërrimin e rezervave të tonit.
Edhe ujërat që lagin Shqipërinë janë të pasura me ton, madje vendi ynë prej disa vitesh eksporton ton drejt Japonisë.
Çdo vit peshkohen më shumë se 7 milionë tonë të këtij peshku e llojeve të ngjashme. Këto specie ton migratore përbëjnë 20 përqind të vlerës së të gjithë peshkimit detar dhe mbi 8% të të gjithë prodhimeve të detit të tregtuara globalisht.
Aktualisht, mbi 96 vende janë të përfshira në ruajtjen dhe menaxhimin e tonit, i cili ka një vlerë vjetore prej gati 10 miliardë dollarësh dhe disa programe përkatëse të FAO-s kanë filluar të japin rezultate pozitive në reduktimin e mbipeshkimit.



