
Në Pallatin e Brigadave po zhvillohet mbledhja e përbashkët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe qeverisë, ku kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, ka mbajtur fjalën e tij duke u ndalur te mesazhi që, sipas tij, sollën protestat e muajit qershor dhe pritshmëritë e reja të qytetarëve ndaj qeverisjes.
Rama tha se tubimet në bulevard, të cilave iu referua si “bulevardi i flamingove”, nuk duhet të lexohen si një përballje politike, por si një moment reflektimi për qeverinë dhe Partinë Socialiste.
Sot dua t’ju flas për çfarë pamë dhe dëgjuam gjatë muajit qershor, kur bulevardi u mbush nga njerëz nga të gjitha rrugët e jetës, kategoritë shoqërore, moshat dhe kur një shpend i rrallë, i bukur dhe i brishtë u bë simbol i vëmendjes më të madhe që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë. Kam sjellë sot me vete dhe dy dokumente. Janë dy dokumente që mishërojnë reflektimin tim përpara pasqyrës së bulevardit të flamingove dhe janë të hapura për t’u lexuar, ndryshuar që ta përmbushin sa më mirë qëllimin e tyre. I pari është dokument strategjik për kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt në qeverisje. I dyti është një aneks sesi PS duhet ta mbështesë kthesën e mandatit të katërt.
Kryeministri u ndal te një episod që, sipas tij, pasqyron një mënyrë të vjetër të perceptimit të raportit mes qeverisjes dhe qytetarëve. Ai solli shembullin e një kryetari bashkie që ishte ankuar për protestat e banorëve, pavarësisht investimeve të kryera në zonën e tyre.
I kam gjetur në llum, nuk kishin rrugë, trotuare e gropa. I bëra me rrugë, me drita, me pemë, u bëra kopsht, u vura edhe stola, janë mosmirënjohës”, citoi Rama fjalët e drejtuesit vendor, duke shtuar se kjo mendësi duhet të ndryshojë.
Sipas tij, fjala “mosmirënjohës” përbën pikënisjen e një reflektimi të ri për mënyrën sesi qeveria duhet të kuptojë shoqërinë shqiptare.
Kjo fjalë është pikënisja e perspektivës së re që na duhet. Në përmbajtjen e saj gjendet kuptimi më i gabuar i fazës së re ku ka hyrë Shqipëria. Atyre që dolën në bulevard gjatë qershorit dhe atyre që kanë protestuar në heshtje e me zë, kudo, nuk duhet t’u themi se janë mosmirënjohës, por t’i shohim si matës të ri të standardeve tona.
Ai theksoi se qytetarët, sipas tij, nuk e matin më qeverisjen vetëm me investimet e kryera, por me pritshmëritë që kanë për cilësinë e jetës dhe shërbimeve.
Faktet tona nuk mjaftojnë më sepse në Shqipërinë që ne transformuam rrënjësisht njerëzit nuk jetojnë me kënaqësinë e gjërave që ndodhin apo që ndërtohen. Ata jetojnë me pritshmëri që rriten më shpejt sesa mundësia jonë për t’u përgjigjur. Ata e përjetojnë me tension mes asaj që shohin dhe dëgjojnë dhe asaj që kanë, herë si burim pikëpyetjesh për çfarë po bëhet me vendin dhe shpeshherë me pasiguri për jetesën e tyre.
Rama tha se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, ku standardet e qytetarëve janë rritur dhe mungesat nuk tolerohen më si më parë.
Unë pashë mbylljen e një epoke dhe fillimin e një tjetre. Epoka e mbyllur është epoka e mungesave. Në epokën e mungesave, shoqëritë vuajnë përgjatë rrugëve pa rrugë dhe gëzohen si fëmija nga një dhuratë. Epoka e hapur është epoka e pritshmërive, ku rruga e re është standard, jo fitore. Shkolla e re është borxh që kthehet me vonesë. Çdo shërbim merret i mirëqenë dhe asnjë mungesë nuk tolerohet. Deviza e kësaj epoke është: ka edhe më mirë.
Në fjalën e tij, Rama komentoi edhe debatin për ligjin e zonave të mbrojtura, duke deklaruar se ai do të rishikohet për përputhshmëri me standardet e Bashkimit Europian.
Ai ligj që përdoret si benzinë për zjarrin e protestës, përfshirë edhe nga eurodeputetë, do të skanohet një për një për ta përputhur 100% me direktivat e BE-së. Nuk kalon asgjë pa miratimin e Komisionit”, deklaroi kryeministri.
Në përfundim, Rama përsëriti se dokumentet e paraqitura në mbledhjen e PS-së synojnë të përcaktojnë drejtimin e mandatit të katërt qeverisës dhe rolin e Partisë Socialiste në këtë proces.



