Ashtu sikundër pritej, 5 ditë pas miratimit nga parlamenti, ligji i amenduar për Teatrin Kombëtar ka mbërritur në Presidencë. Burime nga institucioni bëjnë të ditur se ligji mban të njëjtën numër me ligjin e mëparshëm, të kthyer nga presidenti Ilir Meta.
Mësohet se Parlamenti ia ka dërguar Presidentit për shpallje dhe për ta vënë në dijeni, çka do të thotë se nuk pret dekret për të. Kjo pasi mazhoranca pretendon se bëhet fjalë për të njëjtin ligj, ndonëse është i amenduar, duke hapur garën. Pavarësisht amendimit, ligji sërish parashikon shembjen e godinës së teatrit për ndërtimin e një të riu. Sipas nenit 84 të Kushtetutës, presidenti shpall ligjin e miratuar brenda 20 ditësh nga dorëzimi.
Në të kundërt, ligji quhet i shpallur dhe botohet në Fletoren Zyrtare, duke hyrë në fuqi 15 ditë më pas. Në këtë rast, ligji kalohet në heshtje, njësoj siç ka ndodhur më herët edhe me buxhetin e 2017-s, i cili nuk u dekretua nga Meta dhe ligji për avokatinë.



