Fol që të të dëgjoj dhe të them sa mundësi ke që të përhapësh virusin. Fonetika e gjuhëve që fliten në vende të ndryshme ndikon në transmetimin e Sars-CoV-2. Një studim shkencor i botuar nga "Irish Journal of Medical Science" tregon se si lidhet përsëritja e bashkëtingëllores okluzive "p" (që përfshin një emetim të shpejtë të fluksit të ajrit) me "normën bazë të riprodhimit të virusit".
Ndikimi i fonetikës në infeksion
Edhe një studim japonez e kishte lidhur fonikën dhe transmetimin e Sars-CoV-2, në veçanti për emetimin e spërklave kur artikulon shkronjat "p", "t" dhe "k". Shkencëtari Shigeru Inoue, ish-drejtor i Qendrës Kombëtare të Kërkimit për Sëmundjet Infektive, e ka lidhur infeksionin me mënyrën e shqiptimit të disa bashkëtingëlloreve si "p", "t" dhe "k" të cilat, për shembull në japonisht, prodhojnë më pak spërkla se gjuhët e tjera. Japonishtja, në fakt, parashikon një emetim proporcionalisht më të butë të ajrit sesa gjuhët e tjera në artikulimin e bashkëtingëlloreve okluzive, të cilat në disa raste (të tilla si ajo e "p") janë edhe më pak të përhapura. Në artikulimin e këtyre bashkëtingëlloreve, proces që kryhet përmes një mbylljeje të plotë të glotisit dhe faringut dhe me një lëshim të plotë pas pauzës, japonezët bëjnë më pak përpjekje për të (gjë që u shkakton pak frustrim kur studiojnë një gjuhë të huaj si anglishtja) në emetimin e ajrit.
Karaoke e rrezikshme
Sipas profesor Inoue, kjo karakteristikë e fonetikës japoneze bën që spërklat e pështymës (të cilat janë vektor i virusit) të përhapen në një zonë më pak të gjerë. Nga ana tjetër, një karakteristikë tjetër e japonezëve, fakti që fjalët zakonisht mbarojnë me një zanore, e bën shumë të rrezikshëm një prej aktiviteteteve më të njohura rekreative të vendit: karaoken. Sipas studimit nga specialisti japonez i sëmundjeve infektive, "në këngën japoneze ka tendencë të zgjaten zanoret fundore të fjalëve, dhe në atë rast aerosolet prodhohen në sasi të mëdha: kjo është arsyeja pse karaokja është tani e rrezikshme".



