Medie të ndryshme italiane raportojnë se Papa Françesku ka mohuar kategorikisht që homoseksualët të lejohen të bëhen priftërinj apo të ndjekin seminaret katolike duke përdorur gjuhë fyese për komunitetin LGBT.
Ngjarja ka ndodhur gjatë Konferencës Ipeshkvore Italiane, më 20 maj, ndërsa kreu i Kishës Katolike u pyet nëse homoseksualët duhet të lejohen të ndjekin shkollën për t’u bërë priftërinj sa kohë që qëndrojnë beqarë.

Mendoj se sot ka një atmosferë të fëlliqur pederastie përreth e cila nuk është e mirë. Ekziston një kulturë homoseksuale në lidhje me ata që kanë këtë orientim dhe është më mirë të mos pranohen nëpër seminare.
Disa peshkopë kanë folur në kushte anonimati për mediet italiane duke thënë se pas kësaj fjale të Papës pati të qeshura në sallë, pasi ai nuk e njeh mirë italishten si gjuhë, pasi nuk është gjuha e tij amtare dhe nuk e kupton ngarkesën e thellë poshtëruese që ka fjala “pederasti”.
Papa Franccesku është cilësuar liberal në krye të Kishës Katolike, pasi kur u pyet për homoseksualët në fillim të papatit të tij, në 2013-ën, ai u përgjigj: "Nëse dikush është homoseksual, kërkon Zotin dhe ka vullnet të mirë, kush jam unë për të gjykuar?"
Vitin e kaluar, ai lejoi priftërinjtë të bekojnë çiftet e të njëjtit seks, duke shkaktuar reagime te tradicionalistët. Ndërkohë, sa i përket qasjes për ndjekjen e seminareve nga komuniteti LGBT, edhe më herët, në vitin 2018, Papa ka kërkuar që aplikimet të shihen me shumë kujdes dhe të refuzohet çdo preson i dyshuar si homoseksual.



