140 shqiptarë të cilët qëndronin ilegalisht në Francë janë riatdhesuar ditën e sotme nga vendi ynë.
Lajmin e njoftoi policia e shtetit e cila thotë se të 140 vetat erdhën me chartes nga Metz-i i Francë dhe u ulën në aeroportin ‘Nënë Tereza’.
Policia thotë se operacioni u krye në bashkëpunim me Frontex dhe Zyrën Franceze për Emigracionin.
Ndër të tjera, policia thotë që shqiptarët të mos aplikojnë për azil në zonën Shengen dhe të paguajnë për përfitim të mashtruesve, pasi në të dyja rastet, ai do të refuzohet sepse Shqipëria konsiderohet si vend i sigurt.
Njoftimi i policisë
"Vijojnë operacionet e riatdhesimit dhe të kthimit vullnetar të shtetasve shqiptarë që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së.
Pasditen e sotme, në Rinas, u riatdhesuan nga Metz, Francë, me charter, 110 shtetas shqiptarë, me qëndrim të paligjshëm në Francë dhe në zonën Schengen, të cilët u kthyen vullnetarisht.
Operacionet e riatdhesimit u realizuan në bashkëpunim me Frontex-in dhe Zyrën Franceze për Emigracionin.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në një nga vendet e zonës Schengen, që të mos bëjnë asnjë përpjekje për të aplikuar për azil dhe të mos bëjnë asnjë shpenzim duke paguar ata që duan të përfitojnë duke i mashtruar se do t’u sigurojnë azil, pasi rezultati në të dyja rastet do të jetë negativ.
Shqipëria është një vend i sigurt dhe shanset për të marrë azil janë zero.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me homologët, do vijojë operacionet e riatdhesimit."



