
Një numër i madh qytetarësh kanë kërkuar ndihmë në numrin e policisë së Tiranës pas situatës së vështirë që sollën përmbytjet. Drejtori i policisë së Tiranës, Ardi Veliu, inspektoi punën për zhbllokimin e zonës së përmbytur në afërsi të qendrës City Park. Veliu tha se puna po shkon drejt përfundimit dhe rruga do të jetë funksionale për rreth 2-3 orë.
“Policia e Tiranës prej 24 orësh në gatishmëri. 20 100 telefonata për shqetësime, problematika, thirrje për ndihmë. Po punojmë për hapjen e aksit rrugor në City Park. Po evakuohen mjetet e fundit, do të bëhet pastrimi dhe aksi do të jetë i kalueshëm për 2-3 orë. Kanë qenë rreth 100 mjete të bllokuara. Po menaxhojmë situatën. Janë evakuuar 200 qytetarë”, tha ai.



