Një sasi e madhe marijuane, e cila ishte blerë në Shqipëri, është sekuestruar nga policia italiane në kuadër të një operacioni të kryer në Katania. 1 ton drogë gati për t’u hedhur në treg është kapur, ndërsa krerët e grupit janë identifikuar si Angelo Morabito, 42 vjeç, dhe Giuseppe Portale, 45 vjeç, të dy shtetas italianë.
Sipas hetimeve të policisë së shtetit fqinj, ngarkesa e madhe e marijunës, nga Shqipëria përmes detit shkonte në Puglia dhe më pas transportohej në Sicili e fshehur mes mobiljeve.
Brenda në kamion në mes të mobiljeve u gjetën pako me lëndë narkotike, secila 33 kg, me një peshë totale në një ton. Policia ka vënë në pranga dy krerët e grupit, i cili sipas medieve italiane nuk është një organizatë e vogël, por një grup që bashkëpunon me trafikantë të tjerë jashtë Italisë.
Në pranga kanë rënë edhe 4 shtetas të tjerë italianë, Santo Russo, Antonino Napoli, Natale Pulvirenti dhe Gino Zappalà, që do bënin zhvendosjen e drogës nga kamioni.
Vlera e drogës kap shifrën e 3 milionë eurove.



