Kreu i PR Fatmir Mediu duke folur në MCN Live theksoi domosdoshmërinë që koalicioni opozitar të ketë një logo, si e vetmja mënyrë për të fituar. Mediu tha që opozita duhet të ketë një qëndrim të unifikuar dhe një draft për çdo pikë. Ai theksoi se ka deputetë që e shohin Parlamentin vetëm si vend pune, ndërsa shtoi se ka nevojë për figura të reja.

"Kryesorja ka të bëjë me organizimin e opozitës dhe situatën e rëndë që ka Shqipëria, në raport me krimin dhe korrupsionin. Jemi duke shkuar në zgjedhje, nuk kemi asnjë lëvizje në drejtim të Kodit Zgjedhor për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. PS nuk do lejojë as rregullat zgjedhore që kanë qenë në fuqi në vitin 2013. Kemi shkuar në përkeqësim të 2013. Elementë kriminalë, në bashkëpunim me deputetët, intimidojnë votuesit dhe blejnë vota për t’i shërbyer një interesi të caktuar të qeverisë. Më pas krijojnë edhe afera korruptive, evidente dhe të dukshme. Përballë kësaj opozita duhet të ketë veprimin e saj. E para nuk shoh dakordësi, është ngritur një grup pune i përbashkët, diskutohet për elementë teknikë. Elementë të fshehtë nuk shoh. Opozita fokusin s’duhet ta ketë në momentin e ditës, por duhet ta ketë se çfarë do ndodhë në momentin e zgjedhjeve. Rama ka përjashtuar koalicionet zgjedhore. E dyta kemi një problem me penalizimin e atyre që vjedhin zgjedhjet. Ndëshkojmë faktorë anësore, dhe lëmë deputetë apo parti që kanë vjedhur për të gëzuar pushtetin. Ka vetëm diskutime spontane për votimin e diasporës. Kemi çështjen e sistemit zgjedhor, që ka prodhuar një shtrëmbërim të madh të rezultatit të zgjedhjeve. Ne drejtohemi nga minoranca. Kemi rritur partitokracinë dhe liderokracinë, ku shumica e deputetëve janë të emëruar. Opozita duhet të ketë një qëndrim të unifikuar, një draft për çdo pikë. Duhet partneritet me ndërkombëtarët. Ne të paktën si Aleancë për Ndryshim i kemi çuar këto drafte. Nuk mund të bëhet asnjë kryeministër, nëse opozita s’është e bashkuar. Ka nevojë për federatë opozitare, që i përfshin të gjithë faktorët opozitarë. Opozita duhet të sjellë figura të reja në parti. Duke qenë brenda një federate çdo subjekt ka mundësi të konkurrojë dhe të ketë më shumë peshë elektorale. Ajo që më shqetëson mua që ka një pjesë të njerëzve që e shohin Parlamentin si vend pune. Duke qenë të bashkuar është e vetmja mënyrë për t’u përballur me këtë qeverisje. Ideja e federatës është që të krijonte një grup liderësh, që do uleshin si kontributorë, për ta organizuar opozitën.
Çështja e vulës është çështje e një loje politike. Vula duhet të shkojë te shumica e demokratëve. Basha dhe Rithemelimi duhet të ulen, ku të gjejnë rrugët e komunikimit. Vjen një moment ku reflektohet. Kush ndan nuk mund të fitojë. Copëzimi i partisë është një e keqe që duhet të shmanget. Procesi gjyqësor për vulën është politik, dhe do vazhdojë të zvarritet. Ka nevojë për një logo koalicioni. Nuk është logoja e PD që do ta sjellë fitoren, por logoja e koalicionit opozitar. Duhet të brandojmë logon e koalicionit opozitar sa nuk është vonë”.



