
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se një komb pa opozitë jeton në natën e tij më të zezë.
Ai tha se sot nuk kemi kampe përqendrimi, nuk kemi skuadra pushkatimi dhe hiperkolektivizëm, por pa padyshim që Shqipëria nuk është ajo që ishte e doktrinës dhe diktaturës komuniste.
Me gjithë këtë, sot Shqipëria është përsëri në një diktaturë, është një diktaturë të vërtetë dhe të pamohueshme sepse sot në Shqipëri një njeri i vetëm kontrollon të gjitha pushtetet.
Sot Edi Rama kontrollon pushtetin ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor, agjencitë e të quajtura të pavarura, kontrollon ekonominë me oligarkët e tij, kontrollon mediat.
Sot Edi Rama, opozitën njëlloj si Enver Hoxha e ka shpallur armike dhe armike për ta zhdukur, natyrisht jo me plumba armësh zjarri, por me plumba të tjerë asgjësues, në mënyrë që ta vendosë nën kontrollin e tij të plotë.
Sot diktatura e Edi Ramës kontrollon votën në shkallën më të madhe që i duhet atij, me makinerinë gjigante të frikës së qytetarëve.
Me falangat komuniste të kuqe të patronazhistëve, me vrasësit serialë të bandave ai kontrollon dhe dikton vullnetin e shqiptarëve.
Me makinerinë, me industrinë gjigante të blerjes së votës, qindra e mijëra shqiptarë shesin të drejtën e votës ose votën. Të gjitha këto kanë një synim, zhdukjen e opozitës.
Të gjitha këto Edi Rama, këto vota që i grabit, i konsideron plumba për opozitën. E njëjta gjë sot ndodh me pronën. Njerëzit nuk e kuptuan dhe PD nuk bëri detyrën e vet.
Ligji i investimeve strategjike është ligji i konfiskimit të pronave në të gjitha zonat që ato mund të kenë një vlerë turistike, nga kepi i Stillos në Velipojë, nga Çajupi në Alpe.
Ku të dojë diktatori i konfiskon dhe i përdor për mafian e tij.
E provoi edhe njëherë Edi Rama të asgjësonte opozitën, pra tentoi të na emëronte kryetarin e grupit, tentoi të na dezintegronte grupin. Të gjitha këto dështuan, ne në parlament bëmë betimin më të fuqishëm pas ’46, ne nuk dalim nga ai parlament pa rikthimin e pluralizmit.
Ky është zotimi ynë para të gjithë demokratëve shqiptarë.



