
Në dosjen e siguruar nga MCN TV lidhur me të akuzuarit për aferën e inceneratorit të Fierit, Arben Dervishaj, Giuseppe Ciaffaglione, Loran Dusha, Arbër Denizi, Juri Ymeraj, Silvester Dreza, Regan Merdani, Gentian Zifla, Robert Shabani, Enver Sheshi, Prokuroria thotë se rreziku i ikjes së tyre është i lartë.
Kjo pasi personat e lartpërmendur kanë qenë në dijeni që kanë qenë në hetim dhe rrezikojnë dënime të larta për veprat penale. Organi i akuzës thotë po ashtu se ekziston mundësia e ndërhyrjes së personave në hetim, me qëllim pengimin e procesit dhe vështirësimin e marrjes së provave.
Ndër të tjera në dosje shpjegohet masa lehtësuese e sigurisë, "arrest me burg" për administratoren e “Integrated Energy BV SPV”, Arjola Kodra.
Në dosje thuhet:
Ekzistojnë shkaqe të rëndësishme që vënë në rrezik marrjen ose vërtetësinë e provës në funksion të hetimit të kësaj çështjeje. Për faktin e ndodhur po zhvillohen hetime në drejtim të sqarimit të plotë të rrethanave të faktit, duke u orientuar kryesisht në pyetjen e personave që kanë dijeni për veprat penale. Në këto kushte, personat nën hetim të lartpërmendur mund të ndërhyjnë dhe të ndikojnë në prishjen apo asgjësimin e provave, si dhe në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, siç mund të jetë ndikimi i tyre dhe krijimi i frikës tek dëshmitarët që do të pyeten në vazhdim, çfarë do të ndikonte në një hetim të mangët për sqarimin e plotë të faktit penal objekt gjykimi”.
Po ashtu theksohet se: “veprat penale për të cilat dyshohen shtetasit më sipër, paraqesin shkallë të lartë rrezikshmërie penale”, prandaj gjykata çmon si të përshtatshme masën “arrest me burg”.
Në dosje shpjegohet po ashtu përse është dhënë një masë sigurie më e lehtë, përkatësisht “arrest në shtëpi” për Arjola Kodrën. Kjo e fundit akuzohet për “korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendor”.
Sipas organit të akuzës ndaj saj nuk është caktuar masa “arrest me burg”, duke marrë parasysh rrezikshmërinë e veprës së saj penale, moshën e të hetuarës dhe rrethanat e saj familjare.



