
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar pas deklaratave të përfaqësuesve të qeverisë në lidhje me arrestimin dhe dënimin e ish-drejtorit të Kadastrës në Durrës, Liridon Pula.
Në një njoftim për mediat, KLP shprehet se deklaratat e ardhura nga përfaqësuesit e qeverisë mund të paragjykojnë procesin gjyqësor ndaj ish-drejtorit.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me vëmendje deklarimet publike të drejtuesve të qeverisë në lidhje me procedurat ligjore të ndërmarra nga Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë Durrës për caktimin e masës së sigurisë ndaj drejtorit të Drejtorisë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Këshilli vëren se deklarimet e sipërpërmendura janë të tilla që mund të paragjykojnë ecurinë dhe përfundimin e një procesi gjyqësor në vijim dhe të procedurave të tjera ligjore”, thuhet në njoftimin e KLP-së.
Më tej, KLP shton se çdo shkelje e çdo prokurori të Shqipërisë mund të denoncohet pranë Prokurorisë të Krimeve të Rënda.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë inkurajon deklaruesit, si dhe çdo subjekt tjetër publik ose privat, të denoncojnë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda të gjitha rastet e dyshuara të kryerjes së veprave penale nga çdo prokuror i Republikës, ndërsa dyshimet për kryerjen e shkeljeve disiplinore duhet të denoncohen pranë Prokurorit të Përgjithshëm dhe institucioneve të vetingut”, thuhet në njoftim.



