
Një fanse e këngëtares Taylor Swift gjeti vdekjen të premten në koncertin e artistes në stadiumin Nilton Santos në Rio de Zhaneiro, Brazil.
23-vjeçarja, Ana Clara Benevides Machado, u godit nga një atak kardiorespirator, i shkaktuar nga vapa e madhe që ka pushtuar qytetin prej disa ditësh. Vajza ishte ekspozuar për një kohë të gjatë në një temperaturë afër 40 gradë në pritje të nisjes së shfaqjes.
Sipas asaj që thonë miqtë e viktimës për mediat vendase, Ana Clara humbi ndjenjat pak minuta pas nisjes së koncertit.
Ajo u dërgua me ambulancë në spitalin Salgado Filho, por mjekët deklaruan vdekjen e saj.
Pasi mësoi lajmin, këngëtarja e cila e kishte ndërprerë disa herë koncertin për t’u kërkuar organizatorëve të eventit që të shpërndanin ujë për fansat, publikoi një mesazh ngushëllimi.
Sipas ankesave të shumë prej 60 mijë të pranishmëve, produksioni i kishte penguar njerëzit të hynin në stadium me ujë dhe çadra për t’u hidratuar dhe mbrojtur nga dielli. Ministri i Drejtësisë, Flavio Dino, i kërkoi policisë federale që ta hetojë çështjen në fjalë.



