
Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV, e konsideroi si takim historik atë të NATO-s në Madrid, ku Aleanca e Atlantikut të Veriut ftoi zyrtarisht Finlandën e Suedinë. Milo thekson se Samiti i Madridit dha mesazhe shumë të forta, dhe duhet të dëgjohet mirë edhe nga Beogradi, apo vende të tjera që i kanë sytë nga Moska.
Sa i takon Shqipërisë, Milo tha se vendi ynë duhet të ketë vigjilencë sa i takon Serbisë, pasi nuk e dimë se si mund të veprojë në të ardhmen.
Ai u cilësua një takim historik dhe është i tillë për disa arsye:
Për momentin kur ai po bëhet, kur ka një luftë në Ukrainë, më e madhja pas Luftës së dytë botërore; Janë dy vende që kanë pasur statusin e neutralitetit dhe bëjnë një hap të madh përpara cilësor; E treta është se këto vende që kanë patur një traditë të neutralitetit në qëndrim ndaj Rusisë, me pozicionin e ri rreshtohen përkrah vendeve anëtare të NATO-s që e shohin Rusinë si kërcënim serioz. Tani dalin në vijë të parë sepse janë afër me Rusinë, janë në rajon, i ndan Baltiku. Ka një vlerë historike anëtarësimi i tyre sepse shton elementët e mbrojtjes së NATO-s në Evropën Veriore. Besoj se është një përgjigje adekuate, e menjëhershme, proporcionale e kërcënimeve që përfaqëson Rusia ndaj paqes dhe sigurisë në Evropë. Këto dy vende kanë përgjegjësi për të siguruar paqen për veten dhe vendet e tjera. Nëse Rusia s’do kishte bërë një sjellje të tillë, mundet që këto dy vende të ruanin pozicionin neutral”.
Lidhur me vendimin e aleancës për të vendosur 300 mijë trupa në gatishmëri të lartë, Milo tha:
Një nga vendimet më të rëndësishme, përveç ftesës për anëtarësim Presidenti Biden dha pëlqimin për rritjen e prezencës ushtarake amerikane në Evropë, që është shumë e rëndësishme. NATO vendosi të krijojë një bazë të përhershme ushtarake në Poloni, pasi mbetet një nga vendet evropiane më të kërcënuara nga Rusia. Rrit elementët e sigurisë jo vetëm për Poloninë por Evropën. Ka shtuar në Britaninë e Madhe aeroplanët F35. Përveç shtimit të forcave të NATO-s në Rumani. Këto elementë duhen interpretuar si masa që garantojnë sigurinë e mëtejshme të paqes në Evropë. Në konceptin e ri strategjik të NATO-s Rusia konsiderohet kundërshtari Nr.1 i NATO-s. Po kështu ka një frazë, me terma më të buta, ku merren në konsideratë sfidat që përfaqëson Kina për NATO-n, vlerat e tij, dhe traditat”.
Milo tha se Turqia është një faktor thelbësor i sigurisë për NATO-n, duke shtuar se ky vende forcoi pozitat e saj pas memorandumeve të nënshkruara.
Mendoj që Turqia ka një pozicion gjeostrategjik shumë të rëndësishëm për NATO-n, është porta hyrëse nga Azia në Evropë, ura lidhëse mes dy kontinenteve. Ballafaqohet me kërcënimet që vijnë nga kjo zonë e Lindjes së Mesme, që është gjithmonë e tensionuar. Përplaset me çdo lloj kërcënimi dhe rreziku, për rrjedhojë duhet marrë në konsideratë. Është më pozicion strategjik sepse kontrollon hyrjet me Detin e Zi, që lidhet me Rusinë. Për këtë pozicion të rëndësishëm që ka Turqia dhe marrëdhënien e posaçme që ka me Rusinë, u duhet të merren vesh, kanë kompromiset e tyre. Turqia është një element thelbësor i sigurisë dhe element thelbësor i NATO-s. Është vendi me potencialet më të mëdha ushtarake, njerëzore. Ka edhe interesa kombëtare, të veçanta, që i vë në tavolinë për të forcuar pozitat e saj. Turqia del me pozita të përforcuara. E quaj të vështirë që Rusia të mund të vazhdojë aventurën me ndonjë vend tjetër evropian. Nëse cenon një vend anëtar të NATO-s, hyn në fuqi neni 5 i traktatit të NATO-s, ajo çon në luftë. Nëse Rusia sulmon një nga tre vendet në Baltik, apo Poloninë, neni 5 hyn menjëherë në fuqi dhe NATO reagon menjëherë në mbrojtje të atij vendi që sulmohet”.
I pyetur mbi vizitën e Lajçak në Prishtinë dhe një takim të mundshëm Kurti-Vuçiç, Milo u shpreh:
Të dy palët ndodhen larg në pozicionet respektive, mohojnë atë që është thelbësore, nuk ka vullnet nga Serbia, veç të fitojë kohë, jo të njohë Kosovën, jo të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirës. Kosova duhet të tregojë vullnet, të shfaq gatishmëri për t’u ulur në tavolinë, të bëj pjesën e saj. Samiti i Madridit duhet të dëgjohet mirë nga ata që i kanë sytë nga Moska, ka dhënë mesazhe shumë të forta. Mesazhet duhet të dëgjohen edhe në Beograd. NATO si organizatë nuk pëlqehet në Beograd, për rrjedhojë vendimet e NATO-s në adresë të Rusisë, indirekt janë edhe ndaj aleatëve të Rusisë. Në Ballkan aleate e Rusisë është Serbia. Ne duhet ta shikojmë pozicionin tonë si vend i NATO-s në këtë kuadër, që kemi një aleat të Rusisë në Ballkan, si vend fqinj që kemi interesa, por duhet të kemi edhe vigjilencën që ky vend aleat i Rusisë nuk e dimë si mund të veprojë apo çfarë të bëjë”.



