
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, situatën e javëve të fundit në Veri të Kosovës e sheh si një ndër më të rëndat që ka ndodhur. Duke folur për MCN Live, ai deklaroi se dialogu duhet të jetë pasi situata është mjaft komplekse dhe ky dialog mund të çojë në çtensionim të situatës, deri tek njohja në partneritet. Sipas tij, fati i Kosovës dhe Serbisë, rrugëtimi i tyre drejt Bashkimit Europian është i lidhur me dialogun. Në vijim tha se politika serbe nuk pranon asgjë nga realiteti i Serbisë dhe se pavarësisht dialogut, ata thonë se Kosova është e Serbisë dhe këmbëngulin për ndërtimin e një autonomie për serbët në Veri. Ai akuzoi se pala serbe përdor Kosovën për të shmangur problemet e brendshme. “Megjithëse ka një pakënaqësi të shtuar ndaj pushtetit të Aleksandar Vuçiç. Pavarësisht çka ndodhur në Kosovë protestat ndaj Vuçiç kanë vazhduar jo vetëm në Beograd por në disa qendra të Serbisë. Vuçiç nuk po mund që ta kapitalizojë atë që po ndodh në Kosovë. Nuk dimë çfarë i është premtuar nga bashkësia ndërkombëtare Kurtit, ajo që është e dëshirueshme është që Kryeministri Kurti. Pika kryesore është përsëritja e zgjedhjeve në Veri të Kosovës, Kurti e ka pranuar por nuk është pajtuar për detaje që besoj se do të sqarohen në takimin e radhës në Bruksel që gjithçka të shkojë drejt normales. Një pjesë e politikës serbe është e kontrolluar nga Vuçiç, sidomos ajo që i bën presion edhe vetë Serbëve në Kosovë. Duhen garanci që Veriu i Kosovës nuk do të shkojë drejt Serbisë, parimet që do ndërtohen për një pakicë, do të thotë që të kenë të njëjtën vlerë dhe të jenë të aplikueshme dhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Albin Kurti nuk i ka organizuar zgjedhjet pa përkrahjen ndërkombëtare. Shqiptarët e Luginës po vuajnë në diskriminim, mosnjohja e diplomës, vendeve të punës kanë çuar në largim. Tensionimet e radhës mund të ndikojnë më shumë në rritjen e shkallës së migrimeve, se njerëzit nuk po ndjejnë siguri.” Në vijim Kamberi cilësoi si shqetësuese mënyrën se si Kryeministri Albin Kurti dhe Edi Rama janë përballur, duke e cilësuar si të padëshirueshme një komunikim të tillë në një situatë si aktualja. “Të dy anët kanë pasur mundësi, në diplomaci ka mjaft fjalë dhe fjalor që komunikimi të jetë më i pranueshëm. Edi Rama duhet të konsultohej me Albin Kurtin, por edhe përgjigja e Kurtit nuk tregoi mënyrë të mirë komunikimi. Reagimet ishin të pamatura dhe kjo kërkon maturi nga të gjitha anët.”



