Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë nisur në Bruksel takimet bilaterale me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. BE tha se në axhendë do të jenë diskutimet për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për rrugën e normalizimit të raporteve.

“Si pjesë e diskutimeve, palët do të diskutojnë rrugën përpara për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe zbatimin e marrëveshjeve të tjera të dialogut. Siç e kemi thënë shumë herë më parë, të dyja palët pritet të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse të dialogut pa ndonjë vonesë apo parakushte”, ka deklaruar Peter Stano, zëdhënës i BE-së.
Kujtojmë që të mërkurën e kaluar dështoi takimi i nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit serb Vuçiç.



