Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-ve shprehën keqardhje për vendimin e Listës Serbe që të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale që do të mbahen për kryetarë të katër komunave në Veri të Kosovës, më 23 prill. Në një deklaratë të bërë sot theksohet se është thelbësore që zgjedhjet të mbahen në mënyrë paqësore dhe të rregullt.
“Na vjen keq që Lista Serbe nuk e shfrytëzoi të drejtën demokratike për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Presim që autoritetet përkatëse të veprojnë me profesionalizëm. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen e shmangin dhunën, që mund të pengojë zgjedhjet”, thuhet në deklaratë.
Kryeministri Kurti, teksa komentoi vendimin e Listës Serbe një ditë më parë, tha se “kjo është shenjë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të Kosovës”. Ai kërkoi që BE ta dënojë shkeljen e shpejtë të Marrëveshjes Themelore.



