
Drejtori i Përgjithshëm i MCN TV, Endri Meksi, ka bërë një skaner të detajuar të situatës së prokurimeve publike në Shqipëri, mesazheve të drejtpërdrejta të ambasadorit amerikan Eric Wendt, si dhe lidhjes së grupeve kriminale me tenderat dhe trafikun e drogës.
I ftuar në emisionin Fact Check, duke komentuar deklaratat e ambasadorit amerikan mbi manipulimin e tenderave dhe klimën e biznesit, Meksi theksoi se përfaqësuesit e SHBA-së janë të drejtpërdrejtë dhe vënë gishtin në plagët reale të shoqërisë shqiptare, ndryshe nga diplomatët europianë.
Sipas tij, problemi në Shqipëri nuk janë ligjet, por zbatimi i tyre dhe ndërhyrjet sistematike në çdo hallkë të prokurimeve.
Raporti i përfaqësuesve të SHBA-së me interesat ekonomikë të palëve të ndryshme të SHBA-së është gjithmonë i drejtpërdrejtë. Është pala ndërkombëtare me më pak hipokrizi dhe skrupull në këtë sens. Kjo mënyrë e të komunikuarit e ambasadorit Wendt është më se e mirëpritur sepse është shumë e drejtpërdrejtë, shumë konkrete dhe e vë fokusin qartazi në problematikat që ne si shoqëri aktualisht kemi.
Meksi shpjegoi se përmendja e fjalës "tendera" nga diplomati amerikan nuk i referohet një rasti të izoluar, por një klime të krijuar për parapërcaktimin e fituesve.
Ai nuk i referohet një procedure në veçanti, i referohet klimës që është krijuar në vitet e fundit për ndërhyrje sistematike në prokurimet publike, duke parapërcaktuar fituesin. Qoftë në fazën e përgatitjes së letrave, pra vështirësimin pafund të kritereve, qoftë në fazën e vlerësimit, duke shmangur ndoshta dhe ndonjë ofertues që i ka letrat, duke gjetur kleçka, interpretime dokumentash për të lënë një fitues të kualifikuar të vetëm, mundësisht me çmimin më të lartë.
Sipas Meksit, mesazhi i SHBA-së është i qartë pa konkurrencë të ndershme dhe zbatim të ligjit, nuk do të ketë investitorë të mëdhenj amerikanë. Ai nënvizoi se manipulimet janë konstante që nga grupet e punës, te KVO-ja, KSHA-ja dhe deri te KPP-ja.
Këtu nuk është çështja e neneve të ligjit, se i kemi relativisht shumë të mira, i kemi marrë gërmë për gërmë sipas versionit të Bashkimit Europian. Problemi është që ne nuk i zbatojmë. Kemi manipulime konstante në çdo fazë të çdo prokurimi, që nga anëtarët e parë të grupit të punës që krijohet me urdhrin e titullarit, më tutje në anëtarët e KVO-së, KSHA-së dhe në fund fare te anëtarët e KPP-së, që janë të njëjtët për një periudhë shumëvjeçare.
I pyetur nëse futja e Inteligjencës Artificiale (si projekti "Diella" në e-Albania) do t'i japë fund abuzimeve me tenderat, Meksi u shpreh skeptik, duke theksuar se teknologjia nuk mund të zëvendësojë vullnetin politik dhe hetimet e SPAK-ut.
Instrumentet teknologjikë të inteligjencës artificiale thjesht do bëjnë verifikime të dokumentave, nuk mund të zëvendësojnë firmën e anëtarit të KVO-së. Nëse nuk do të ketë vullnet politik dhe forcim të fazave hetimore nga ana e SPAK-ut, nuk shoh ndonjë diferencë të madhe që do të bëjë agjenti i AI-t, përveçse përpunimit më të shpejtë të dokumentave. Pjesën hetimore, marrjen në pyetje, vëzhgimin e dokumentave dhe ekspertëve do ta bëjnë prapë njerëzit.
