
Japonia është goditur nga shira të shumta ndërsa vendi është bllokuar nga stuhia e fortë tropikale, ndërkohë që me qindra fluturime janë anuluar dhe zona të tëra të populluara janë evakuuar, raporton BBC.
Të enjten, shirat e rrëmbyeshëm kanë përfshirë disa pjesë në perëndim të Japonisë, teksa stuhia Krosa i është afruar kësaj zone, çka ka rezultuar me anulim të qindra fluturimeve dhe udhëtimeve me tren, si dhe më shumë se 400 mjë njerzve u është kërkuar që të evakuohen.
Autoritetet kanë paralajmëruar se rënia e shiut në disa zona mund të kalojë 1,000 milimetra brenda 24 orëve.
Stuhia "Krosa", pritet të përcjellet me erëra deri në 108 kilometra në orë, kur të arrijë në zonën e Hiroshimas, ka thënë Agjencia japoneze e Meteorologjisë.
Pothuajse 700 fluturime janë anuluar, duke ndikuar në udhëtimet gjatë sezonit të pushimeve verore.
Stuhia "Krosa" është klasifikuar si një stuhi tropikale, një shkallë më poshtë se kategoria e tajfunëve.
“Duke marrë parasysh parashikimet për rënie të shiut dhe erëra të fuqishme, ne iu kemi kërkuar njerëzve në zonat e prekura që të mos dalin jashtë dhe të bëjnë përgatitje për evakuim, nëse një urdhër i tillë merret nga autoritetet lokale”, ka thënë Sekretari i Qeverisë Japoneze, Yoshihide Suga.
Marrja e këtyre masave është konsideruar e domosdoshme pasi më shumë se 200 persona kanë vdekur si pasojë e shiut të pandërprerë dhe vërshimeve që kanë ndodhur në perëndim të Japonisë një vit më parë.



