Gazetari Mentor Kikia në MCN Live komentoi partinë e re Djathtas 1912 për të cilën u shpreh se parti të reja ka plot por ajo që mungojnë janë kauzat e reja.
Ai tha se këto parti të reja janë grupime që kundërshtojnë dhe nuk pajtohen me lidershipin e tyre dhe se sipas tij ky ansambël politik e vetmja gjë që do bëjë është copëtimi i votës opozitare.
Kemi të bëjmë me një realitet të ri politik dhe mesa shoh në kontekstin politik këtu nuk ka risi, pasi partitë e reja nuk ka kauza të reja, pra ka parti të reja plot, por pa kauza të reja. Nga ‘92 filluan dhe lindën parti të reja që nuk u gjeneruan si pasojë e nevojës për kauza të reja sociale. Partitë e reja u shkëputën nga dy partitë e mëdha, nga grupe njerëzish për shkak qejfmbetjesh.
Nga PD janë shkëputur rregullisht, diçka dhe nga PS, por këto parti kanë funksionuar për një farë kohe dhe më pas ose janë kthyer sërish në origjinë ose janë shuar. Ka parti që kanë lindur nga inatet me lidershipet dhe vjen momenti që shuhet. Dhe partia demokratike sot është modeli i fundit të një partie e ndarë deri tani në katër pjesë, ku sërish pjesët e ndara nuk i përfaqësojnë shtresat e ndryshme shoqërore që se gjejnë veten te PD, janë thjesht grupime që nuk pajtohen me lidershipin.
Fillimisht Basha, sot Alibeaj, qasjen kryesore kanë që nuk pranojnë Sali Berishën. Grupimet e reja politike në mospajtim me lidershipin nuk zgjodhën të qëndrojnë te cepi por zgjodhën të japin kontributin ndryshe. Partitë e reja nuk kanë qenë përfaqësuese të vijave ideologjike. Ajo që mendoj se është shqetësuese është konteksti aktual.
Partitë e vogla dhe të reja përbëjnë një ansambël politik 7 partish ku kush më shumë e kush më pak do marrin vota dhe ajo që përbën problem është se ato do të copëtojnë votën opozitare. Nuk besoj që partitë e reja janë krijuar me porosi për ti shërbyer Ramës në pushtet, partitë e reja janë kundër Berishës, Ramës por dhe kundër njeri-tjetrit.



