Vijojnë problematikat si pasojë e motit të keq dhe përmbytjeve në disa qarqe të vendit, ndonëse në shumë zona situata është përmirësuar dhe niveli i disa prej lumenjve ka rënë. Lumi Seman vijon të jetë kërcënues në disa degë të Fierit dhe Beratit, rrëshqitje shkëmbinjsh kanë bllokuar dy korsi të rrugës Qukës-Qafë Plloç, ndërkohë që vështirësi qarkullimi kanë shkaktuar reshjet e borës në zonat malore të Shkodrës.
Korresponentja Bendis Druni në një raportim në edicionin e lajmeve në Mcn Tv bën me dije:
“Qarku i Shkodrës s’është përballur me problematika të mëdha. Përveç faktit që dje kanë nisur reshjet e dëborës në zonat malore, Qafë-Thore Theth, Vermoshë, Lëpushë dhe Razmë. Janë hasur problematika të vogla për automjetet që kanë qenë të pa pajisur me goma dimërore dhe zinxhirë. Makinat borëpastruese kanë qenë në terren në të gjitha pikat e lartpërmendura. Në Malësinë e Madhe ka pasur disa rrugë të dëmtuara nga reshjet e shiut. Në Vaun e Dejës mungon energjia elektrike në dy njësi administrative”.
Korresponentja Evi Gjini në një raportim në edicionin e lajmeve në Mcn Tv bën me dije:
“Lumi Vjosë është rikthyer në shtratin e tij, ujërat janë tërhequr nga sipërfaqet e tokave bujqësore duke lënë pas baltën. FA dhe Mbrojtja Civile janë zhvendosur në Mbrostar. Semani vazhdon të jetë kërcënues dhe ka shpërthyer në disa degë të Fierit dhe Beratit. Reshjet e shiut kanë nisur dhe Semani është në nivele të larta dhe prurjet e tij janë më të larta krahasuar me Vjosën dhe Shkumbinin”.
Korresponentja Elsa Xhindole në një raportim në edicionin e lajmeve në Mcn Tv bën me dije:
“Sot kemi patur reshjet e para të dëborës në zonën e Dardhës, Vithkuqit dhe Shtyllës. Në terren janë kontraktorët e mirëmbajtjes së rrugës dhe s’kemi problematika, rruga është e lirë. Sot kemi patur edhe rrëshqitje të shkëmbinjve në Qukës-Qafë Plloç që kanë bllokuar dy korsi të rrugës, por është hapur një bypass provizor për kalimin e mjeteve. Niveli i lumit Devoll ka pësuar një ulje dhe vijon ndarja e ndihmave në Maliq dhe Pogradec”.



