
Kryeministri, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj deklarateve të ish-kryeministrit Sali Berisha për ngjarjen në Bularat ku mbeti i vrarë 35-vjeçari grek Kostandinos Kaçifa.
Më herët Berisha dënoi aktin që vuri në rrezik forcat e rendit dhe i shprehu ngushëllime familjes së 35-vjeçarit. Ai bëri thirrje për ndalimin e histerisë primitive antishqiptare në Athinë dhe asaj greke në Tiranë.
Berisha tha se dënon disa reagime zyrtare të Athinës por edhe të Tiranës, që duan të përdorin rastin për qëllime politike.
Në një postim në rrjetin social "Twitter", Rama thotë se deklarata e Sali Berishës për Bularatin është një pisllëk që mund ta bëjë vetëm një materie e biodegraduar deri në palcë.
"Sa shumë i dha Shqipëria këtij njeriu që do iki nga kjo botë pa lënë pas qoftë dhe një fjali për t'ua treguar fëmijëve apo një fjalim ku të mos duhet sinjali kujdes fëmijët", përfundon Rama.

Por i menjëhershëm ishte edhe reagimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha i cili është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Edi Rama, pas postimit që ky i fundit, sulmoi ish-kruyeminsitrin Sali Berisha.
Në një postim në rrjetin social "Facebook", Basha shkruan se, Rama nuk ka asnjë shans të mbrojë as veten e as ministrat, ish ministrat, deputetët e kryebashkiakët kriminelë nga përballja me drejtësinë e vërtetë.
"Bashkëqeverisja e Ramës me krimin është fakt. Bashkëpunimi me krimin për blerje votash është i provuar. Rama nuk ka asnjë shans të mbrojë as veten e as ministrat, ish ministrat, deputetët e kryebashkiakët kriminelë nga përballja me drejtësinë e vërtetë. Nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse të flasë përçart, duke sulmuar me gjuhë banditi ish kryeministrin, me shpresën e kotë se mund ta zhvendosë sadopak vëmendjen e mund të fitojë pak kohë për të mbyllur skandalin e rradhës. Turpi kombëtar ka emrin dhe fytyrën e tij!", shkruan Basha.




