Presidenca i përgjigjet me të njëjtën lëvizje vendimit të komisionit hetimor për t’i kërkuar një opinion të dytë Komisionit të Venecias për vendimet e presidentit. Zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi, njoftoi se edhe institucioni në fjalë do t’i drejtohet Komisionit të Venecias për ato që i cilëson shkelje të Kushtetutës në rastin e zgjedhjeve të dy anëtarëve të Kushtetueses.
Reagimi i Blushit
Nuk mund të frenojmë askënd, e aq më pak Kuvendin e Shqipërisë, të kërkojë këshilla miqësore apo të kundërshtojë në Komisionin e Venecias, Dekretin e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, për emërimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese në plotësim të vakancës së tij.
Shteti Shqiptar ka një marrëdhënie të konsoliduar me Komisionin e Venecias dhe institucionet që vendosin t’i drejtohen këtij organi këshillimor, duhet ta ushtrojnë këtë të drejtë objektivisht dhe jo për përdorim politik.
Megjithatë nëse Kuvendi, do të vijojë me rrugën e zgjedhur dhe vërtet dëshiron të shterojë objektivisht këtë çështje, Presidenti i Republikës bën me dije se, do t’i drejtohet Komisionit të Venecias në lidhje me shkeljet kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë, në procesin e zgjedhjes së dy anëtareve të Gjykatës Kushtetuese, si zgjedhje të bëra pa garë, pa mundësi zgjedhjeje, vetëm me një kandidat, dhe në kundërshtim me radhën që dikton Kushtetuta dhe kriteret e ligjit për organizimin e Gjykatës Kushtetuese.



