
Pas paraqitjes në disa vende të rajonit dhe më gjerë, rastet e para me variantin Omicron të Covid-19, tanimë janë konfirmuar edhe në Kosovë.
Autoritetet shëndetësore njoftuan të dielën mbrëma se janë konfirmuar nëntë rastet e para të infektimeve me variantin Omicron të koronavirusit.
Në një njoftim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës thuhet se “nga 22 mostra pozitive në SARS-CoV-2, të periudhës kohore 15 deri 25 dhjetor 2021, janë konfirmuar nëntë raste. Sipas institutit, dy raste janë të importuara nga Shtetet e Bashkuara, dy nga Mbretëria e Bashkuar, një nga Franca dhe katër raste me variantin Omicron të detektuar janë në komunën e Mitrovicës, të cilët mohojnë historinë e udhëtimit dhe se kanë pasur kontakte me dikë nga jashtë”.
Ky institut bëri thirrje për zbatim të masave aktuale kufizuese dhe për vaksinim në një kohë kur varianti Omicron mund të përkeqësojë situatën aktuale me COVID-19 Kosova aktualisht ka shkallën më të ultë të infektimeve dhe vdekjeve nga COVID-19 në rajon, por vazhdon të mbajë kufizime të orarit të punës dhe të lëvizjes së qytetarëve.
Autoritetet thonë se këto masa kufizuese janë të domosdoshme pasi që me festat e fundvitit, është rritur edhe numri i udhëtimeve.



