
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e përdori fjalën e tij në Parlament për t’u bërë thirrje qytetarëve t’i bashkohen protestës së opozitës më 27 janar. Basha tha se ekonomia dhe siguria janë përkeqësuar dhe do të vijonë të përkeqësohen nëse qytetarët heshtin.
“Kur vjen në pushtet me votat e krimit, nuk ke përgjegjësi për qytetarët. E vetmja politikë ekonomike për këtë vit është paurimi i Ramës dhe sejmenëve të tij përmes aferës së inceneratorëve. E vetmja industri që krijon vende pune në Shqipëri është ajo e krimit. 13 mijë biznese mbyllën dyert vitin e kaluar. Shqipërinë e kërcënon kaosi sepse rendi dhe siguria përkeqësohen përditë. Nga kjo rrugë pa krye ku ndodhemi nuk mund të na nxjerrë njeriu që na solli këtu. Një njeri që e mbushi politikën me kriminelë, një njeri që u heq paratë e ilaceve të sëmurëve me kancer për t’ia dhënë ortakes së tij. Edi Rama është njeriu që fle edhe me djallin për pushtet dhe para. Shqiptarët janë sot njerëzit më të varfër e më të pashpresë të Europës. Heshtja sjell vetëm një gjë: të varfrit i varfëron, të pasurit i pasuron. Duam drejtësi të barabartë si për Erion Veliajn, edhe për Ardit Gjoklaj”, tha ai.
Basha i ftoi mbështetësit e opozitës të bëhen bashkë në shesh të shtunën në mesditë. “Nëse bëhemi mijëra në sheshet e Shqipërisë, e keqja do të largohet”, tha ai.



