Godole: Dosjet e ish-Sigurimit përdoren për gjueti shtrigash! Duhet të hapen për ata që kanë qenë dhe janë në politikë (VIDEO)

Godole: Dosjet e ish-Sigurimit përdoren për gjueti shtrigash! Duhet të hapen për ata që kanë qenë dhe janë në politikë (VIDEO)

Drejtuesja e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, Jonila Godole, temën e ditëve të fundit të ngritur nga Autoriteti i Dosjeve lidhur me një politikan të nivelit të lartë me iniciale I.M., si bashkëpunëtor të ish-Sigurimit të Shtetit, e quan si një çështje që përdoret për gjueti shtrigash.

Duke folur për MCN TV, lidhur me përplasjet e fundit mes Kryeministrit Edi Rama dhe ish-Presidentit Ilir Meta, pikërisht lidhur me këtë temë, Godole deklaroi se nga viti 1991 e deri më sot më dosjet e ish-Sigurimit gjithmonë është luajtur dhe janë përdorur për gjueti shtrigash, pavarësisht se cila klasë ka qenë në qeveri.

Ajo tha se reagimin e Kryeministrit e sheh si politik, por shton se shqetësuese është po të shohësh se si emërohen njerëzit në detyrë, në bazë të kujt CV kanë dhe çfarë lidhje kanë me postet e tyre.

Një lajm i tillë do të ishte shumë pozitiv, më në fund kapet një peshk i madh, nuk e kapim dot në drejtësi, por tek dosjet e Sigurimit të Shtetit që kanë 30 vite që sorrollaten andej këtej, duke u dëmtuar madje, por nuk është se është hapur ndonjë dosje e ndonjë politikani të niveli të lartë.

Nëse Autoriteti i Dosjeve e bën këtë tani, është diçka e mirë që të kërkojnë amendim të ligjit kur flasim për raste të tilla duhet të kemi gjithë dokumentacionin dhe të jemi të sigurtë.

Duhet të kishim pasur informacion të sigurtë dhe të bënim transparente inicialet e emrave të tjerë të dërguar në shkresën ndaj Parlamentit. Zoti Meta nuk është deputet në parlament.

A është bashkëpunëtor i Sigurimit apo përmendet në dosjet e një informatori tjetër, këtë do donim që të dinim. Sa më shpejt të bëhet transparencë për këtë, të hapet gjithë dosja e I.M.

Duke komentuar kërkesën e Partisë Socialiste për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor që do të mundësonte kontroll të plotë të figurës së politikanëve dhe pyetjes nëse spostimi i Gramoz Ruçit nga PS u bë pikërisht për këtë çështje, Godole tha se nuk mund ta thotë pasi do të duhet edhe pak kohë, ndonëse shtoi se për të ka pasur akuza të hapura dhe jo anonime.

Ka qenë Agron Tufa, ish-drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve që publikoi një fotokopje të komisionit ‘Bezhani’, ku thuhej se Ruçi ishte bashkëpunëtor me pseudonimin Cigarja. Pse u largua zoti Ruçi, nuk mund të aludojmë.

Mbase Partia Socialiste është e sigurtë se në parlament dhe institucione të larta nuk ka më njerëz me dosje. Çdo amendim i ligjit për të pasur më shumë informacion për dosjet është i mirëpritur.

Pavarësisht se vjen pas 30 vitesh dhe është pak vonë. Kanë pasur karrierë të gjatë në 30 vite dhe janë aktualisht të nderuar në pensionin e tyre.

E pyetur se çfarë do të thotë deklasifikimi i dosjeve të ish-Sigurimit, Godole deklaroi se ka qenë ndërhyrje e mirë, ndonëse shtoi se nuk di nëse mazhoranca do i marrë parasysh propozimin e Partisë Demokratike për deklasifikim të informacionit kur ka lidhje me zyrtarë që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit.

Kjo është pikë kyçe që do ndryshonte në ligjin për klasifikimin e dokumenteve sekrete. Të shpresojmë, por dosjet duhet të hapen. Për sa kohë që do vazhdojmë kështu, do vazhdohet të nxirren iniciale të tilla.

Nuk shoh vullnet politik, nëse do kishte do ishte ndjekur modeli çek dhe të gjitha dosjet do ishin hapur dhe do ishin online, sidomos për zyrtarët e administratës, që rezultojnë bashkëpunëtor të Sigurimit.

Autoriteti i Dosjeve duhet të bëjë dosjet publike dhe pastaj mund të mos ekzistojë më ose të transformohet. Më shumë se personat e përndjekur, akses në dosje ka pasur klasa politike, të gjitha qeveritë.

Para vitit 1991 kur Partia e Punës ishte në pushtet dhe pas vitit 1992 kur në pushtet erdhi PD. Dosjet janë përdorur gjithnjë për shantazh dhe gjueti shtrigash.

Dua të jem shpresëplotë dhe optimiste dhe të them që çdo amendim i ligjit është i mirë. Dosjet duhet të hapen dhe për ata që kanë qenë në politikë dhe që aktualisht janë ata.

Opinioni publik duhet të dijë se çfarë dëmesh kanë shkaktuar ata. Tani vjen momenti se si ka ndodhur dhe pse ka ndodhur.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy