Kryeministri etiopian Abiy Ahmed ka deklaruar sot se ka nisur ‘faza e fundit’ e operacionit para luftimeve që pritet të ndodhin në rajonin verior Tigray me TPLF-në, partinë që kontrollon qytetin e Mekelle. Edhe këta të fundit më herët janë shprehur se do të mbrojnë me jetë të drejtën për t’u vetëqeverisur pasi nuk e njohin kryeministrin, për shkak se zgjedhjet nuk ishin të barabarta.
Kryeministri deklaroi se ushtria do të përpiqet të mos dëmtojë civilët në kryeqytetin rajonal Mekelle, një qytet me 500,000 banorë dhe u bëri thirrje atyre të qëndrojnë në shtëpi.
Kombet e Bashkuara më herët kanë paralajmëruar për krime të mundshme lufte nëse ushtria etiopiane sulmon Mekelle. Shefja e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut Michele Bachelet i tha BBC se banorët e qytetit ishin në "rrezik të madh".
"Ne jemi vërtet të alarmuar nga situata e rrezikshme veçanërisht për shkak të civilëve të bllokuar në Mekelle," -tha ajo, duke shtuar se kishte "potencial për shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar të të drejtave të njeriut".



