Avokati Redon Meksi mendon që Kryesia e PD po bën një lojë të pistë në lidhje me kandidatin për Bashkinë e Tiranës, pasi po heq fajin nga vetja. Duke folur në Mcn Live Meksi vë në dukje se do të jetë e vështirë që Kryesia e PD të pranojë një kandidat që vjen nga jashtë, sepse mund t’u marrë vendin. Sipas tij nëse opozita bëhet një trup dhe organizohet në këto zgjedhje ka shanse për fitore.
“Formulë të zgjuar Berisha ka bërë që çke me të për veten e tij, pasi po të fitojë është merita e PD dhe po të humbë është faji i kandidatit të pavarur. Heq përgjegjësinë nga vetja e vet Berisha, sidomos kur i duhet të ketë sërish votbesimin në PD siç thotë statuti. Do ketë probleme të tjera të mëdha po të humbë prapë zgjedhjet. Flasim për zgjedhje ku kryetari i bashkisë është në burg me disa akuza, të gjithë njerëzit e tij e kanë tradhtuar, e kanë lënë në baltë. Kemi një Tiranë të mundshme për të fituar dhe PD s’e ka kandidatin e saj. I njoh të dy Florian Haçkaj dhe Binajn, do t’i votoja të dy me qejf, Hasimjan s’e njoh, por sërish do ta votoja para Ogertës.
Do votoja këdo para Ogertës. Kryesia e PD po bën një lojë të pistë, po heq fajin nga vetja. Jam i sigurt që do ta luftojnë shumë brenda PD kushdo që të jetë kandidat për shumë arsye, sepse s’duan që një nga jashtë të marrë fuqi në PD, sepse presin largimin e Berishës për t’i marrë vendin. Apo s’duan të marrë më shumë vota se ata, marrim Belindin. PD është kaq dobët sot sa nuk ka mundësi të nxjerrë një kandidat të sajin për të fituar zgjedhjet. Situata është tejmase e rëndë për opozitën. Është në një moment që ka shanse të fitojë dhe s’ka këllqe të luftojë për të fituar.
Problemi është a do punojë baza poshtë për këta tre kandidatë. Kush nga këto biznesmenë do harxhojë para për një vit e gjysmë për PD-në? Apo do jetë një fushatë ‘alla Arlind Qori’. Shanset janë të mëdha të fitojnë, po të organizohet PD. Por e shoh të vështirë që Kryesia e PD të pranojë dikë nga jashtë, sepse mund t’u marrë vendin”.



