
Ish-komandanti i Forcave Detare, Vladimir Beja, deklaron se Shqipëria nuk ka kapacitete për monitorimin e kufirit. Në një intervistë për Tema TV, Beja flet dhe për shitjen e avionëve luftarakë e anijeve për skrap, duke e cilësuar mungesë strategjie.
Ministria e Mbrojtjes nxorri në ankand për të shitur për skrap një listë të gjatë me pajisje luftarake të konsideruara të vjetra. Ndër to renditen 69 avionë luftarakë të llojit MIG dhe mbi 15 anije të llojit kater silurus, të cilësuara si mjaft të mira. Vlera fillestare e ankandit të shpallur nga Ministria e Mbrojtjes ishte 1.5 milion dollarë. Afati i fundit për të paraqitur ofertën ka qenë data 22 tetor e këtij viti.
Ndërkohë ky veprim nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes nuk është pritur mirë nga ekspertët. Ish-kreu i Forcave Detare, Vladimir Beja, në një intervistë për Tema TV u shpreh se kjo është një mungesë strategjie
"Në këtë kuadër prandaj unë këmbëngul se mungesa e një strategjie kombëtare e shtetit shqiptar, pavarësisht se cila forcë politike qeverisë e bën këtë që ne të jemi përsëri të mangët për t'ia lënë stafetën njëri-tjetrit. Kjo është pak me dhimbje dhe do thosha që jemi shumë dificitarë edhe si një vend anëtar i NATO-s", delaroi ish-komandanti Beja.
Ish-kreu i Forcave Detare ngre shqetësimin se Shqipëria me kapacitetet aktuale nuk kontrollon dot kufijtë e saj detarë.
"Unë them sinqerisht se deti ynë për fat të keq është bosh. Nëse do të hapen radarët italianë, do të shikoni që në detin territorial italian apo në detin ndërkombëtar në pjesën ndërkombëtare italiane gjallëron trafiku detar i anijeve të transportit, i anijeve të dëfrimit, i anijeve të ndryshme dhe anijeve luftarake dhe patrulluese. Deti ynë është bosh, me dhimbje e them këtë. Ne nuk arrijmë dot me këto kapacitete që kemi të mbulojmë të mbrojmë kapacitetet tona si në fushën e peshkimit, ashtu edhe në fushën e turizmit, ashtu edhe në fushën e kontrabandës të trafikut të drogave apo edhe të trafiqeve të paligjshme", tha Beja.
Sipas Bejës, detyra e nje vendi është që të sigurojë integritetin e kufijve dhe të mos bazohet tek aleatët.
"Ideja se sigurinë kombëtare e mbron NATO-ja është një gënjeshtër e madhe", vazhdoi ai më tej.
Beja e thotë me keqardhje se, ndërsa para viteve '89, Shqipëria nuk krahasohej vetëm me rajonin për sigurinë por edhe me vendet perëndimore, tani vendi ynë i ka humbur këto pozita.
"Gati pa krahasuar me asnjë vend tjetër të Ballkanit. Në qoftë se ishim një nga vendet më dinjitoze një flotë detare të stërmadhe, ju siguroj 4 nëdetëse 42 – 4 sigurues 28 anije patrulluese të nivelit bashkëkohor deri në vitet 1980-85 dhe u a jap me garanci këtë gjë: deti territorial aop siguria në bregdetin shqiptar ishte shumë e lartë", deklaroi Beja.
Ish-komandanti i Forcave Detare, shprehet se është koshient se e gjithë flota ajrore dhe detare që u trashëgua nuk mund të mbahej pasi ka kosto të madhe, por sipas tij minimalisht duhet të mbahej 40-50% e tyre.
Intervista e plotë e ish-komandantit të Forcave Detare, Vladimir Beja, për Tema TV



