Qeveria do të rikthejë projektligjin, i cili bën të ndëshkueshme çdo fyerje apo koment në portalet në internet.
Ndryshimet në ligj fillimisht u propozuan në mars të këtij viti, por pas akuzave nga mediat online se drafti cenon lirinë e shprehjes qeveria nuk avancoi atë në Parlament.
“Ka qenë një proces konsultimi që zgjati më tepër seç duhej sepse pati një ndjeshmëri të shtuar dhe pati nevojë që të shpjegohej më gjerë. Një nga elementët pozitivë të konsultimit që ne bëmë është që portalet kuptuan që ishin pjesë e ligjit aktual dhe nuk e dinin këtë gjë sepse ligji i 2009-ës ka patur shumë më pak portale dhe shumë më pak aktive”, deklaron ministrja e Inovacionit për Top Channel.
Sipas Haritos, drafti bazohet në direktivën më të re të Bashkimit Europian dhe është konsultuar gjerësisht me OSBE dhe Këshillin e Europës.
Ministrja sjell si shembull ligjin ekzistues që thotë se nëse ka komente të padëshiruara online drejtuesit e portaleve janë të detyruar t’i tërheqin menjëherë.
“Menjeherë është një gjë e papërcaktuar kështu që ne kemi vendosur një orar 72 orë sipas direktivës së BE dhe të tjera përmirësime, saktësime si këto”, thotë ajo.



