
Nomad Band është një nga grupet më të reja dhe më premtuese të skenës muzikore në Tiranë.
I përbërë nga Maksimilian Myzeqari (vokalist), Sidrit Myrteli (baterist), Roelt Goxhabelliu (tastierist) dhe Henri Maliqati (kitarist), grupi po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje për performancat e tyre live dhe energjinë rock.
Të ftuar në studion e programit të mëngjesit “Zgjohu me MCN”, anëtarët e Nomad Band rrëfejnë se si u bënë bashkë përmes dashurisë për muzikën rock dhe si arritën të krijojnë një grup që sot po njeh sukses.
Maksimilian Myzeqari, vokalisti i grupit:
Grupi ka qenë si ide më përpara, por kënga e parë që prezantuam ishte në tetor.Doja të eksperimentoja muzikalisht. U njoha fillimisht me Sidin, më pas me Roeltin dhe kështu u konsolidua formacioni i parë i Nomad Band.
Më pas kishim nevojë për një kitarist dhe në grup u bashkua Henri, anëtari më i ri.
Më herët kam qenë i angazhuar në projekte solo hip-hop, por shijen për rock-un e ka pasur që herët, të ndikuar nga prindërit.
Ajo që po bëj me çunat është shumë kreative dhe më përmbush artistikisht. Është një kombinim i asaj që kam bërë më parë me hip-hop dhe asaj që po ndërtojmë tani si grup rock.
Henri Maliqati, kitaristi:
Kitarën e kam dashur që i vogël. Për studimet për mjekësinë jam ndikuar edhe nga babai, që është mjek, dhe nga shkolla e mesme.
Mendova se shkolla e muzikës nuk do të ishte 100% zgjidhja ime, ndaj zgjodha mjekësinë, por arti ka mbetur gjithmonë në shpirtin tim.
Metali dhe kitara më kanë ndihmuar shumë.
Sidrit Myrteli, bateristi:
Kam ndërruar disa grupe, por kjo ndodh shpesh.Në Shqipëri ka mungesë instrumentistësh, sidomos bateristë dhe basistë. Për këtë arsye jemi shpesh të kërkuar nga grupe të ndryshme.
Roelt Goxhabelliu, tastieristi:
Me Sidin u njoha përmes një kushëriri. Fillimisht folëm për muzikën, u bëmë shokë dhe më pas u bashkuam me Maksin.Nisëm këngën e parë, bëmë një pauzë dy mujore, por vendosëm të vazhdojmë sepse ideja ishte shumë e mirë.
Grupi aktualisht po punon për një album, një single të ri që pritet të ketë impakt të madh, si dhe disa cover-e të vjetër rap të ripërpunuar në stil rock.
Ndër këngët më të njohura nga publiku mbetet “Semafori”, e cila i ka bërë Nomad Band më të identifikueshëm në skenën muzikore.



