
Qeveria nuk ka një strategji të qartë për bujqësinë. Kjo reflektohet në vendimet që lidhen me këtë sektor, të cilat kryesisht janë zgjidhje momentale për një problematikë që shfaqet. Në studion e MCN Economy, Teuta Nunaj, eksperte e ekonomisë, tha se bujqësia duhet kthyer në sektor rentabël dhe kjo mund të bëhet vetëm me anë të një strategjie të qartë afatgjatë.
Te subvencionet mungon elementi bazë. Është shifër e pamjaftueshme. Kostot janë të larta. Qeveria nuk mund të mjaftohet duke thënë unë po jap ca para.
Nuk duhet të ketë kufi sipërfaqeje për subvencionin. Nuk janë politika që i shërbejnë një momenti pragmatist për të shprehur se po ndikojmë në produktin bujqësor.
Vendimet e qeverisë janë vetëm për një problematikë që shfaqet. Pra nuk ka një strategji afatgjatë. Qeveria nuk ndërhyn në tërësinë e zinxhirit të furnizimit. Nga momenti A, pra fara, deri në momentin B, që është buka. Të gjitha planet dhe strategjitë që hartohen nuk kanë vijueshmëri dhe as studim të thelluar. Ne realizojmë produkte sipas një kërkese të momentit dhe rrjedhimisht edhe subvencionojmë njësoj. Ne duhet ta kthejmë bujqësinë në një sektor rentabël. Qeveria duhet të ndihmojë fermerin për 2 elementë bazë. Qeveria duhet të ndërhyjë në zinxhirin e furnizimit.



