
Ceremonia e diplomimit të studentëve të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës u mbush me emocione të shumta, por dy të rinj veçanërisht përjetuan një moment që do ta mbajnë mend gjithë jetën: një propozim për fejesë në mes të ceremonisë.
Aldo Miftari, student në degën “Teknologji Automobilash”, vendosi që në këtë ditë të rëndësishme të surprizonte të dashurën e tij, Migena Xhaferraj, studente e “Gjuhë-Letërsi, Anglisht”, duke i propozuar publikisht për fejesë.
Të ftuar në studion e mëngjesit në emisionin “Zgjohu me MCN”, çifti tregoi emocionet e dyfishta të asaj dite.
Migena:
Nuk e prisja fare! Aldo nuk është tipi që bën gjëra të tilla. Ishim me familjet tona, dhe kur ndodhi, u shtanga. Madje në fillim i thashë me shaka: ‘Pse s’më dhe një lule?’ s’e kisha idenë çfarë kishte përgatitur. Ishte një ditë e veçantë për ne të dy: unë isha e emocionuar për diplomimin, e kisha gjithë fokusin aty, por u përlota nga surpriza. Aldo është i rezervuar në publik, prandaj më preku shumë që mori këtë hap para të gjithëve.”
Aldo:
Jam tip që nuk i tregoj shumë emocionet. Jemi bashkë prej 3 vitesh e gjysmë dhe gjithmonë kemi folur që do ta shpallim fejesën sapo të mbarojmë shkollën.
U rritëm bashkë në një farë mënyre. M’u duk momenti i duhur për ta bërë këtë hap dhe jam shumë i lumtur që Migena tha 'po'.
Ky moment i veçantë mes dy të rinjve është bërë tashmë viral në rrjete sociale, duke sjellë emocione jo vetëm për familjet dhe miqtë e tyre, por edhe për gjithë ata që besojnë te dashuria dhe fillimet e bukura.



