Anëtari i Këshillit Bashkiak të PD-së në Bashkinë Tiranë, Dorian Teliti, duke folur në edicionin e lajmeve në Mcn Tv tha se në parim është pro rritjes së pagës minimale 50 mijë lekë, që hyn në fuqi këtë vit, por theksoi se qeveria ka akorduar vetëm 10 milionë euro kompensim për bizneset.
Sipas tij kjo shumë i mbulon bizneset sa i takon kostove shtesë vetëm për 1 muaj, dhe jo për të gjithë vitin, sikurse kishte deklaruar kryeministri. Teliti thekson se do të duhet të akordoheshin 90 milionë euro për mbulimin e kostove shtesë për 12 muajit e vitit.
“Kemi një ekonomi që është varfëruar jo vetëm nga ana monetare por edhe nga ana humane. Të rinjtë janë larguar nga vendi. Ne jemi pro rritjes së pagës minimale në parim, por duhet të shoqërohet me masa që të kompensojnë kostot për biznesit dhe sipërmarrjes. Bujqësia dhe industria, në raportin e fundit të INSTAT-it janë në recesion. Dy janë sektorët prodhues në Shqipëri dhe të dyja janë në recesion. A mund të flasim për rritje ekonomike, hapje vendesh të reja pune dhe mirëqenie kur s’ke prodhim?!
Edhe ne jemi pro rritjes së pagës minimale, por ama kjo është diçka e mirë për punonjësit, por nga ana tjetër përbën kosto për biznesin. Ne kemi propozuar që të kompensohen kostot për biznesin. Kostoja shtesë për gjithë vitin 2026 për bizneset ishte 90 milionë euro. Nuk gjendet asgjëkundi kjo vlerë. E di sa ishte vlera? 10 milionë euro. Pra do kompensohet vetëm muaji janar! Ndonëse deklaruan se do kompensojnë gjithë vitin 2026, në projekt-buxhet është miratuar që të kompensohet vetëm janari, nga shkurti e mbrapa kostoja është në kurriz të sipërmarrjes”.



