I ftuar në emisionin “MCN Live”, gazetari Xhevair Zhabina ka folur mbi skemën e dyshuar të call center-ave në Tiranë dhe përfshirjen e katër zyrtarëve të Policisë së Shtetit, konkretisht nga sektori i Krimit Ekonomik.
Sipas Zhabinës, funksionimi për disa vite i një aktiviteti të tillë në qendër të Tiranës, me një numër të madh operatorësh dhe shtetasish të huaj, ngre pikëpyetje serioze mbi rolin dhe dijeninë e strukturave të policisë.
Pas aktiviteteve të paligjshme duhet mbështetja e policisë. Për të funksionuar një skemë e tillë në qendër të Tiranës, me aq shumë operatorë dhe shtetas të huaj, policia duhet të ishte në lëvizje. Kjo tregon sa të fuqishëm kanë qenë personat që menaxhonin atë biznes.
Gazetari theksoi se hetimi dhe dosja i kalojnë pikërisht Krimit Ekonomik, strukturë që ka si detyrë parësore luftën kundër fenomeneve të tilla. Ai ngriti dyshime nëse bëhet fjalë vetëm për katër efektivë të përfshirë apo për një shtrirje më të gjerë brenda Policisë së Shtetit.
Kam përshtypjen se një aktivitet i këtyre përmasave kërkon më shumë se katër efektivë për ta garantuar. Është një biznes që funksionon në një nga kullat më të rëndësishme në qendër të Tiranës, pa pasur frikë nga ndërhyrja e policisë.
I pyetur nëse skema mund të shtrihet përtej katër efektivëve të dyshuar, ai u shpreh se, në mënyrë logjike, një aktivitet i tillë nuk mund të qëndrojë në këmbë pa garanci nga nivele më të larta drejtuese.
Kjo skemë nuk mund të funksionojë pa siguri nga persona më lart se efektivët. Pa garancinë e shefave, një biznes i tillë nuk mund të ushtrojë aktivitet në përmasa të tilla dhe për disa vite me radhë në Tiranë.



