Ndërsa protestat masive të studentëve dhe të rinjve kanë hyrë në javën e tyre të tretë, përplasja mes qeverisë dhe protestuesve është zhvendosur në një betejë të pazakontë simbolesh.
Kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe këtë mëngjes ftesën e tij për bisedime, duke vendosur sërish përpara zyrës së tij një tavolinë të madhe prej guri me fletë ku shkruhet “Dialog”.
Kjo tentativë e kryeministrit vjen pas dështimit të strategjive të mëparshme simbolike. Fillimisht, para godinës qeveritare u vendosën stola dhe karrige druri që mbanin mbishkrimin “Dialog”.
Të rinjtë e irrituar i refuzuan ato, duke i hedhur dhe duke u vënë flakën në shenjë proteste.
Në përgjigje të këtij akti, kreu i qeverisë ndryshoi taktikë duke zgjedhur një material që nuk digjet, një sofër apo tavolinë prej guri.
Përfaqësuesit e studentëve dhe pedagogët që mbështesin revoltën kanë deklaruar se nuk ka vend për asnjë negociatë me kreun e ekzekutivit.
Sipas tyre, ftesat e përsëritura të Ramës nuk janë gjë tjetër veçse një manovër propagandistike për të zbutur revoltën politike që nisi fillimisht për kushtet në universitete dhe mungesën e fondeve në arsim.



