Federata Shqiptare e Futbollit, nëpërmjet një deklarate për mediat, ka bërë të ditur se Komisioni i Disiplinës dhe Etikës ka vendosur ditën e sotme përjashtimin për pesë sezone të tre klubeve të Kategorisë së Dytë, konkretisht Bulqiza, Gramshi dhe FC Internacional Tirana dhe dënimin me dy vite të gjyqtarit të ndeshjes Bulqiza-Veleçiku, Memet Koçi, për dështim në raportimin e shkeljeve të Kodit të Etikës.
Ky vendim vjen pas hetimit të nisur më datë 27 prill 2022 në lidhje me dyshimet e arsyeshme për paracaktim rezultati në ndeshjet FC Bulqiza- KSSH Veleçiku 0-15, Oriku-KF Gramshi 8-0 dhe Luzi 2008-FC Internacional Tirana 15-1.
Pas marrjes së informacionit të nevojshëm dhe pyetjen e aktorëve të përfshirë në këto ndeshje, Komisioni i Disiplinës dhe Etikës gjeti se kishte elementë të paracaktimit të rezultateve sportive, gjë e cila është në kundërshtim me parimet e fair-play-t dhe integritetit të garës.
Gjithashtu 3 klubet janë dënuar edhe me një gjobë prej 2 milionë lekësh.
VENDIMET E DISIPLINËS:
- Në përfundim të hetimit disiplinor për ndeshjen e Kampionatit të Kategorisë së Dytë – Grupi A, midis F.C Bulqiza dhe KSSH Veleçiku, në bazë të neneve 27, 31 dhe 67 të KDS dhe neneve 27 dhe 40 të Kodit të Etikës, F.C Bulqiza, përjashtohet nga gara për 5 (pesë) sezone të njëpasnjëshme dhe dënohet me gjobë në masën 2.000.000 (dy milionë) lekë. Në zbatim të nenit 116/1/b të KDS, gjoba të aplikohet në masën 20%.
- Në përfundim të hetimit disiplinor për ndeshjen e Kampionatit të Kategorisë së Dytë – Grupi A, midis Oriku dhe KF Gramshi, në bazë të neneve 27, 31 dhe 67 të KDS dhe neneve 27 dhe 40 të Kodit të Etikës, KF Gramshi, përjashtohet nga gara për 5 (pesë) sezone të njëpasnjëshme dhe dënohet me gjobë në masën 2.000.000 (dy milionë) lekë. Në zbatim të nenit 116/1/b të KDS, gjoba të aplikohet në masën 20%.
- Në përfundim të hetimit disiplinor për ndeshjen e Kampionatit të Kategorisë së Dytë – Grupi A, midis FC Internacional Tirana dhe Luzi 2008, në bazë të neneve në bazë të neneve 27, 31 dhe 67 të KDS dhe neneve 27 dhe 40 të Kodit të Etikës, FC Internacional Tirana, përjashtohet nga gara për 5 (pesë) sezone të njëpasnjëshme dhe dënohet me gjobë në masën 2.000.000 (dy milionë) lekë. Në zbatim të nenit 116/1/b të KDS, gjoba të aplikohet në masën 20%.
- Në përfundim të hetimit disiplinor për ndeshjen e Kampionatit të Kategorisë së Dytë – Grupi A, midis F.C Bulqiza dhe KSSH Veleçiku, në bazë të neneve 17, 27 dhe 40 të Kodit të Etikës, Zyrtari i ndeshjes, Memet Koci, për dështim për të raportuar shkeljet e parashikuara në nenin 27 të Kodit të Etikës, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë si dhe me ndalimin e pjesëmarrjes në ndonjë aktivitet të lidhur me futbollin për një periudhë prej 2 (dy) vjetësh.