Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Arben Çuko, vrasjen në burgun e Peqinit, ku i dënuari Sokol Mjacaj, ekzekutoi brenda qelisë të dënuarin tjetër Arben Lleshi dhe plagosi shokun e tij të dhomës, Indrit Shaqja, e sheh si krisje të skemës së sigurisë.
Nga studio e MCN Live, Çuko e cilësoi ngjarjen shumë të rëndë, duke thënë se dallohet shumë qartë se në atë burg ka pasur krisje të skemës së sigurisë.
Ai deklaroi se nisur nga kjo gjë, nga informacionet e tij nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, agjencia e inteligjencës së burgjeve dhe ministri i Drejtësisë kanë dërguar grupe kontrolli, pasi ka pasur informacione dhe ndër masat e para që ndërmorën për të rivendosur në standardin e duhur sigurinë në burgun e Peqinit.
Para 20 ditësh shkarkuan drejtorin e burgut dhe shefin e policisë së burgut dhe dërguan drejtorin aktual, këtë që i ndodhi ngjarja dhe shefin e policisë që i ndodhi ngjarja, e dërguan për të rivendosur rendin.
Drejtori aktual Kamber Hoxha, është një nga specialistët më të mirë, më me përvojë dhe më të përgjegjshëm, kuptohet që për 20 ditë në një burg të sigurisë së lartë që është Peqini, mbi 100 të dënuar me burg të përjetshëm, s’mund të presësh gjithçka.
Se sa ditë ishte i prishur skaneri, kjo është çështje e dosjes hetimore. Nëse një drejtuesi i prishet skaneri dhe nuk njofton kompaninë, për mua çështja është shumë e thjeshtë, edhe për dosjen hetimore.
Ka ngarkesë të madhe dhe në paraburgim, me rreth 200 të paraburgosur në Peqin dhe pjesa tjetër të burgosur.
Kamerat kanë punuar por kanë qenë të teknologjisë së vjetër se ky burg është ndërtuar në 2004 dhe teknologjia e atij viti nuk është siç është sot.
Skaneri në dijeninë time ka qenë i prishur dhe gjëja e parë që ka bërë ky drejtor i ka bërë kërkesë kësaj firme dhe kanë rregulluar skanerin.
Një është skaneri i kontrollit te porta kryesore dhe skaneri tjetër te porta e materialeve dhe ushqimeve. Aty futen qindra kilogramë ushqime për tu gatuar.
Është një kompleks shumë i madh sigurie me një mijë e një kënde që duhen monitoruar, të gjitha burgjet dhe sidomos Peqini.
Skema e sigurisë është krisur sepse kemi armë brenda. Një polic i korruptuar, një minutë humbje vëmendjeje nga kontrolli, nga zbatimi me rigorozitet i skemës së sigurisë, bëhet ajo që ka ndodhur.
Jo vetëm atje, por në të gjitha burgjet, situata është e qetë. Ka qenë krisje e skemës së sigurisë dhe ministri dhe drejtori i përgjithshëm i burgjeve dërguan këtë staf të ri.
Burgjet shqiptare janë në një standard shumë të lartë të sigurisë dhe respektimit të të drejtave të të dënuarve.
Të gjitha organizatat e të drejtave të njeriut ushtrojnë presion ndaj policisë së burgjeve për zbatimin e të drejtave të të burgosurve.
Janë dy gjëra që do fërkohen fort me njeri tjetrin.
Zgjidhja për mua për të gjitha këto probleme, sidomos në burgjet e sigurisë së lartë dhe për të gjithë këtë personazhe të botës së krimit është “41 biss”, ku sektorët e regjimit të veçantë, janë duke u populluar me shpejtësi.
E rëndë për mua do të ishte që kamerave të mos punonin në një rast arratisjeje. Sot të gjitha burgjet janë modernizuar. Deri në 2018, kamerat nuk punonin, prisheshin.
Sistemi i burgjeve ka pasur një modernizim dhe përparim shumë të shpejtë dhe shumë të lartë.
Bazuar në skemën e sigurisë së çdo burgu, drejtoria e burgjeve ka për detyrë që një herë në javë të bëjë kontrollin e sigurisë, nëse janë hekurat e jashtëm në gjendje, është rrjeti elektrik, dera, çelësi i derës.
Dhe kontrolli i thellë bëhet bazuar mbi informacionet që ka policia e burgjeve apo shërbimi i inteligjencës, për të dënuar të caktuar dhe sektorë të caktuar.
A e mendoni të bëni një kontroll të thellë në 300 dhomat e burgut. Duhen nxjerrë të gjithë të burgosurit jashtë, çohen në një vend tjetër të lidhur.
Nxirren të gjitha objektet jashtë, kontrollohen edhe pllakat që lëvizin. Nuk mjaftojnë 20 ditë. Analiza është se si të zihen të gjitha të çarat në sistemin e sigurisë në burgun e Peqinit.
Të përmirësohet ky sistem, jo vetëm për Peqinin, por për të gjitha burgjet.
Është luftë e përjetshme mes atyre që duan të arratisin, duan të bëjnë gjëra të këqija në burg dhe policisë së burgjeve dhe sistemin e sigurisë së burgjeve.
Në një rast, me briskun e bigës së rrojës, u arrit të pritej gradualisht. Por ndryshoi zhurma dhe u zbulua.
I dënuari tha se unë e kam mendjen çdo minutë se si të iki, dhe policia duhet të na ruajë.
Kemi një rast që pëllumbi korrier, dorëzonte hashash në burg. E kishte mësuar i burgosuri me fara, pëllumbi hante farat dhe shkonte atje.



