Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar për gjykim procedimin penal nr. 196 të vitit 2024, ndaj disa zyrtarëve të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), të akuzuar për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë.
Sipas njoftimit zyrtar, më datë 8 janar 2026 SPAK ka paraqitur kërkesën për gjykim ndaj të pandehurve Benet Beci, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti dhe Rudin Gjoni, të cilët akuzohen për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal. Hetimi lidhet me një procedurë prokurimi të zhvilluar nga KESH sh.a., me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me fond limit 69.5 milionë lekë.
Procedura është regjistruar me numrin REF-46463-12-18-2019. Procedimi penal është nisur kryesisht mbi bazën e referimit të akteve nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Nga hetimet ka rezultuar se gjatë zhvillimit të tenderit janë evidentuar shkelje ligjore në përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve të kualifikimit dhe në fazën e vlerësimit të ofertave.
Sipas SPAK, nga provat e administruara, përfshirë teknika të posaçme hetimi, prova materiale të sekuestruara gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Evis Berberi, i pandehur në një procedim tjetër dhe bashkëshort i të pandehurës Adela Ruko, si dhe veprime të tjera hetimore, ka rezultuar se të pandehurit kanë paracaktuar fituesin e tenderit.
Konkretisht, Benet Beci, në cilësinë e administratorit të KESH dhe titullarit të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave, dyshohet se ka krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë “Consulting & Management Albania” sh.p.k., e cila është shpallur fituese e procedurës.
SPAK thekson se në këtë procedurë janë shkelur disa dispozita të ligjit “Për prokurimin publik”, si dhe rregullat e miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave për prokurimet publike. Çështja pritet të shqyrtohet nga gjykata kompetente, ndërsa të pandehurit gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë.



