
Ish-presidenti Bamir Topi i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN, tregoi për herë të parë një rast, ku vendosi të mos përfitojë nga një pronë me të drejtë trashëgimie, për shkak të funksionit të tij si kreu i shtetit.
Ai rrëfeu se një repart ushtarak pranë banesës së tij në ish-Kinostudio ishte ndërtuar mbi tokën e gjyshit të tij, Dalip Topi.
Edhe pse ligjërisht i takonte si trashëgimtar, ai zgjodhi të mos ndërhynte dhe nuk e ushtroi të drejtën e parablerjes për të shmangur çdo konflikt interesi. Reparti, sipas tij, vijon të jetë funksional edhe sot.
“Si president kam qenë jashtëzakonisht institucional. Do të tregoj diçka që nuk e kam thënë asnjëherë. Vjen një korrespondencë institucionale dhe mes reparteve ushtarake që do të dilnin nga plani i shpërndarjes, vjen edhe një repart shumë afër shtëpisë sime, në ish-Kinostudio dhe unë kërkoj informacion përpara se të jepja firmën.
Të drejtën e parablerjes sipas ligjit e kanë pronarët dhe kur mora se ai repart është ndërtuar mbi tokën e gjyshit tim, Dalip Topi, unë i thashë që edhe pse unë kisha të drejtën për trashëgiminë, nuk e bëj kurrë, le ta bëjë pasardhësi im, sepse jam në konflikt interesi. Sot e kësaj dite vijon të jetë repart ushtarak.”



