Ish-ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, thotë se në zgjedhjet e ardhshme, LSI-ja do të vijojë të ruajë trendin rritës. Ndërsa në lidhje me koalicionin me Partinë Socialiste, Haxhinasto vlerëson se mes dy partive të majta ka ende potencial të pashfrytëzuar që mund të shërbejë për realizimin e premtimeve të qeverisë. Në një intervistë për MAPO, Haxhinasto thotë se mbështet rritjen e përgjegjësive të LSI-së në qeverisje, në bazë të rezultatit zgjedhor.
Pjesë nga intervista
Një nga sfidat e para me të cilat do të përballet ky ekip i ri drejtues janë dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Cilat janë objektivat e LSI sa i përket mbështetjes elektorale dhe për rrjedhojë dhe numrit të deputetëve?
Besoj se LSI do ta ruajë trendin e saj rritës dhe ky nuk është në fakt një qëllim në vetvete, por ka të bëjë me përqasjen tonë ndaj thelbit të ekzistencës tonë dhe thelbit të politikës që është shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve.
Kohët e fundit në LSI është identifikuar një linjë e ashpër, e cila kërkon që LSI të marrë më shumë përgjegjësi dhe pse jo Meta të jetë edhe kryeministër….
Unë mbështes çdo linjë që konfirmon përgjegjësitë politike të LSI-së përpara qytetarëve shqiptarë, që realizon premtimet e saj zgjedhore përpara qytetarëve shqiptarë. Unë mbështes rritjen e përgjegjësive të LSI-së në qeverisje, sigurisht të bazuara në rezultatin e tyre zgjedhor. Mendoj se duhet lexuar me kujdes ajo që u tha nga kryetari i LSI-së, se koalicioni duhet të ezaurojë potencialet e veta, duhet të krijojë sinergji për përshpejtimin e rritjen ekonomike dhe gjithashtu ajo që tha për vetë koalicionin, që dimensioni i konsensusit të koalicionit duhet të forcohet, pikërisht në funksion të një konsensusi më të gjerë në përgjithësi dhe të prevalimit të atyre politikave që janë më efikase, më të pranuara dhe i shërbejnë më mirë jetës së qytetarëve.
Si do ta vlerësoni bashkëqeverisjen me socialistët tashmë kur jemi drejt fundit të mandatit 4-vjeçar?
Koalicioni ka akoma potencial të paezauruar, mund të kishte krijuar sinergji më të mëdha për të arritur një ritëm më të lartë të realizimit të premtimeve të veta për të realizuar një rritje më të madhe ekonomike dhe nëpërmjet rritjes ekonomike të kishte siguruar një punësim më të gjerë, më të qëndrueshëm dhe me të ardhura më të larta. Besoj që e thënë kjo nuk duhet të jemi nihilist aspak, por të vlerësojmë punën e bërë deri më tani, por kjo nuk do të thotë që të mos kemi vizion që punët të ecin më shpejt dhe më mirë.



